Kombëtaret

Pësoi tre gola, por Aro Muric vlerësohet nga mediat italiane për paraqitjen ndaj Irlandës

Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Murici, ka marrë vlerësime nga mediumi italian “Sassuolonews” edhe pse “Dardanët” u mposhtën 3-0 në transfertë nga Republika e Irlandës. Në sfidën e zhvilluar në Dublin, Murici u rikthye në formacionin bazë, pasi në takimin me Izraelin në Prishtinë…

Pësoi tre gola, por Aro Muric vlerësohet nga mediat italiane për paraqitjen ndaj Irlandës

Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Murici, ka marrë vlerësime nga mediumi italian “Sassuolonews” edhe pse “Dardanët” u mposhtën 3-0 në transfertë nga Republika e Irlandës.

Në sfidën e zhvilluar në Dublin, Murici u rikthye në formacionin bazë, pasi në takimin me Izraelin në Prishtinë kishte qëndruar në stol. Edhe pse portierit iu shënuan tre gola, mediumi i afërt me klubin e tij, Sassuolon, thekson se rezultati nuk e pasqyron plotësisht paraqitjen e portierit kosovar.

“Rezultati nuk përshkruan plotësisht performancën e Muricit”, vlerëson “Sassuolonews”, duke veçuar disa ndërhyrje të tij gjatë ndeshjes.

Sipas mediumit italian, Murici realizoi disa pritje të rëndësishme, por e kishte të vështirë t’i bënte ballë presionit të Irlandës, sepse Kosova mbeti me një futbollist më pak për më shumë se një orë, pas përjashtimit të Kreshnik Hajrizit.

Megjithatë, në analizën e tyre vihet në dukje edhe aksioni i penalltisë së dytë, i cili konsiderohet si momenti që i la një hije paraqitjes së portierit.

“Portieri kosovar pagoi çmimin për mënyrën se si reagoi në gjuajtjen e Molumbyt dhe kontaktin pasues me Parrott”, thekson mediumi italian në vlerësimin e tij.

Murici, 28-vjeçar, ka regjistruar deri tani 54 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës.