Amari Kelly u vlerësua si basketbollisti më i mirë i xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës, pasi dha kontributin kryesor në fitoren e Vëllaznimit ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet.
Skuadra nga Gjakova fitoi me rezultat 66:62, ndërsa Kelly shënoi 29 pikë dhe kapi 17 topa në kërcim. Me indeks loje 38, ai u përfshi edhe në pesëshen më të mirë të javës, të njohur si “Top-5”.
Në këtë ekip u përzgjodhën gjithashtu Laolu Oke i Borës dhe tre basketbollistë amerikanë me pasaporta të Kosovës: Shawn Jones i Trepçës, Divine Myles i Bashkimit dhe Domenic Artis i Pejës.
Oke u dallua për Borën, që mposhti Golden Eagle Yllin, me 19 pikë dhe 11 kërcime. Ndërkohë, Myles e ndihmoi Bashkimin të fitonte përballë Rahovecit 029, duke regjistruar 16 pikë, 2 kërcime dhe 6 asistime.
Në fitoren e ngushtë të Trepçës në Pejë, Jones kontribuoi me 13 pikë, 11 kërcime e 2 asistime. Te vendasit, Artis ishte më efikasi, me 26 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime.
