Skuadra shqiptare U-19 përfundoi me dy fitore raundin e dytë të kualifikueseve për Kampionatin Europian 2026/27. Në përballjen e dytë dhe të fundit, kuqezinjtë mundën Armeninë 4-0, pasi kishin fituar me të njëjtin rezultat edhe ndaj Qipros.

Nën drejtimin e Fatjon Tafajt, Shqipëria zhvilloi dy ndeshje bindëse dhe e mbylli grupin në vendin e parë, me pikë të plota, tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Ky rezultat i siguroi ekipit ngjitjen në Ligën A për raundin e tretë kualifikues.
Formacioni i nisjes së ndeshjes ishte: Huli (GK), Cekrezi, Nasto, Sylejmani, Himallari, Muslika, Kulla (C), Blini, Vata, Vukaj dhe Asani.
Kuqezinjtë kaluan në epërsi që në minutën e 4-t. Armend Muslika ekzekutoi një goditje dënimi nga jashtë zonës dhe dërgoi topin në rrjetë me një realizim të shkëlqyer.
Shqipëria vazhdoi të sulmonte dhe, pak para pushimit, e çoi rezultatin në 2-0. Gabriel Kulla u gjend i vetëm përballë portierit dhe e mposhti pa gabuar.
Goli i tretë erdhi në minutën e 61-të. Alen Vukaj depërtoi nga krahu, la pas kundërshtarët që iu vunë përpara dhe, pasi doli i vetëm përballë portierit, shënoi me saktësi.
Në minutën e 74-t, Kulla vulosi dopietën e tij. Sulmuesi kuqezi goditi fuqishëm nga brenda zonës dhe e mposhti portierin për herë të dytë, duke vendosur shifrat përfundimtare, 4-0.
Fitorja ndaj Armenisë i dha fund raundit në mënyrën më të mirë për Shqipërinë U-19, që siguroi kreun e grupit dhe kalimin në Ligën A. Tashmë kuqezinjtë do të synojnë një vend në fazën finale të Kampionatit Europian U-19.
Shorti i grupeve të Ligës A do të hidhet më 10 dhjetor. Atëherë Shqipëria do të mësojë kundërshtarët për raundin e tretë, i cili zhvillohet në pranverën e vitit 2027 dhe do të përcaktojë shtatë përfaqësueset që do t’i bashkohen Çekisë në fazën finale të Kampionatit Europian U-19 “Çeki 2027”.
Me dy fitore, tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, Kombëtarja U-19 ka siguruar promovimin në Ligën A dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit europian.
