Ish-tekniku i Real Madridit, Fabio Capello, mendon se Endrick duhet të largohet në janar drejt Romës, ku mund të gjejë hapësirën e nevojshme për të luajtur dhe për t’u zhvilluar më tej. Sipas tij, sulmuesi brazilian mund të ketë në Serie A të njëjtin ndikim që pati Nico Paz te Como.
Gjatë një interviste për gazetën italiane Gazzetta dello Sport, Capello e mbështeti idenë e largimit të 20-vjeçarit nga klubi madrilen, duke e parë këtë si një mundësi për aktivizim më të rregullt.
“Endrick te Roma mund të bëjë atë që bëri Nico Paz te Como”, u shpreh Capello.
Ish-trajneri italian theksoi se braziliani zotëron cilësi të rëndësishme dhe se ai e njeh nga afër mënyrën se si Real Madridi përzgjedh dhe formon lojtarët e rinj.
“Ai është i ri dhe vjen nga Real Madridi; bëhet fjalë për një futbollist me shumë talent. E njoh akademinë e Madridit dhe kriteret me të cilat përzgjedhin lojtarët”, deklaroi ai.
Capello iu referua gjithashtu paraqitjeve të Nico Pazit në Serie A, duke argumentuar se rasti i tij ka treguar se një lojtar i ri që largohet nga Madridi mund të lërë gjurmë dhe të bëjë diferencën në kampionatin italian.
“Tashmë kemi parë se ai mund të bëjë diferencën në ligën tonë”, përfundoi Capello.
Endrick po përballet me mungesë të hapësirës te Real Madridi, pasi këtë sezon ka luajtur vetëm 144 minuta në shtatë ndeshje.
Roma ishte shumë pranë transferimit të brazilianit gjatë verës, por në atë periudhë trajneri Jose Mourinho ndërhyri personalisht për ta bindur lojtarin të qëndronte në “Santiago Bernabeu”.
Megjithatë, klubi italian e ka rikthyer interesimin përpara afatit kalimtar të janarit dhe po e vlerëson sërish mundësinë për ta transferuar Endrickun.
