John Stones mund të ndahet nga Interi vetëm katër muaj pas transferimit te klubi italian, ku mbërriti si lojtar i lirë nga Manchester City.
Gjatë dhjetë viteve në “Etihad Stadium”, mbrojtësi fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, tre FA Cup dhe një Ligë të Kampionëve. Largimi i tij nga Manchester City u konfirmua në fillim të këtij viti.
Stones, tashmë 32 vjeç, regjistroi 295 ndeshje me “Qytetarët” dhe u dallua si një prej mbrojtësve më të mirë në Evropë për aftësinë për të ndërtuar lojën nga prapavija. Por karriera e tij është vështirësuar së fundmi nga lëndimet, të cilat po e pengojnë edhe në Itali.
Kur kontrata me Manchester Cityn përfundoi, për të pati interesim nga disa klube. Arsenali dhe Chelsea e konsideruan si përforcim të mundshëm, por nuk paraqitën oferta zyrtare. Edhe Juventusi shqyrtoi transferimin e tij, përpara se Interi t’i propozonte një marrëveshje dyvjeçare.
Te “Nerazzurrët”, ku iu bashkua edhe mesfushori i Liverpoolit, Curtis Jones, pritej që Stones të sillte përvojë dhe cilësi në repartin mbrojtës. Megjithatë, gjendja fizike nuk e ka lejuar të dëshmojë aftësitë e tij në Serie A.
Mbrojtësi me numrin gjashtë është jashtë fushës që nga mesi i shtatorit, pasi pësoi një lëndim në kofshë në ndeshjen e fituar 5-3 ndaj Udineses, ku luajti vetëm 62 minuta.
Ajo ishte njëra nga vetëm katër paraqitjet e tij në të gjitha garat. Sipas raportimeve nga Italia, e ardhmja e tij në “San Siro” do të përcaktohet nga mundësia për të qenë rregullisht në dispozicion.
Gazzetta dello Sport raporton se 32-vjeçari mund të largohet në afatin kalimtar të janarit. Nëse nuk e përmirëson gatishmërinë fizike, ai mund të mos përfshihet as në listën e përditësuar të skuadrës.
Në këto rrethana, Interi mund të marrë edhe vendimin për t’ia ndërprerë kontratën para kohe. Raportimi nuk tregon se ku mund ta vazhdojë karrierën Stones në rast largimi, ndonëse rikthimi në Ligën Premier mbetet një mundësi.
