Rreth 120 milionë euro i kanë kushtuar Manchester Unitedit shkarkimet e trajnerëve dhe emërimi i pasuesve të tyre që prej tërheqjes së Alex Fergusonit më 2013, raporton The Telegraph. Shifra mund të rritet sërish, pasi pritet që Michael Carrick të largohet nga detyra në të ardhmen e afërt.
Në këtë total përfshihen dëmshpërblimet për trajnerët e larguar dhe ekipet e tyre, pagesat ndaj klubeve të tjera për transferimin e trajnerëve të rinj, si dhe shpenzimet që lidhen me riorganizimet drejtuese.
David Moyes ishte trajneri i parë që u shkarkua pas largimit të Fergusonit. Ai u largua në prill 2014, më pak se një vit pas nënshkrimit të kontratës gjashtëvjeçare. United pagoi 6.2 milionë euro për ndërprerjen e marrëveshjes së tij dhe largimin e stafit.
Në vitin 2016, Louis van Gaal u shkarkua vetëm dy ditë pasi fitoi Kupën FA. Kompensimi që mori nga klubi ishte rreth 10 milionë euro.
Largimi që kushtoi më shumë ishte ai i Jose Mourinhos, në dhjetor 2018. Sipas raportit financiar të Unitedit, klubi pagoi 23.4 milionë euro për ndërprerjen e kontratave të trajnerit portugez dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij.
Ole Gunnar Solskjaer u shkarkua në nëntor 2021, në një largim që i kushtoi klubit afro 12 milionë euro. Rreth 9 milionë euro nga kjo shumë iu paguan norvegjezit. Bashkë me largimin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick, të njoftuar në qershor 2022, shpenzimet arritën në 29.5 milionë euro.
Erik ten Hag u shkarkua në tetor 2024. Pagesat për të dhe stafin e tij arritën në 12.4 milionë euro. Pas përfshirjes së kostos së largimit të drejtorit sportiv Dan Ashworth, i cili qëndroi vetëm pesë muaj, shuma u rrit në 17.3 milionë euro.
Kur Ruben Amorim iu bashkua Unitedit në nëntor 2024, klubi pagoi 11.9 milionë euro kompensim për Sportingun. Një raport i UEFA-s vlerëson se largimi i Amorimit dhe pesë anëtarëve të stafit të tij në janar të këtij viti mund t’i kushtojë klubit deri në 19 milionë euro.
Tashmë në qendër të situatës është Carrick. Ai mori drejtimin si trajner i përkohshëm në janar dhe nënshkroi kontratë dyvjeçare këtë verë. Në të njëjtën kohë, pesë pjesëtarë të stafit të tij, mes tyre Steve Holland dhe Jonathan Woodgate, morën zgjatje dyvjeçare të kontratave.
Unitedi ka regjistruar vetëm një fitore në dhjetë ndeshje të Ligës Premier dhe renditet aktualisht i 18-ti. Sot në Monako, bashkëpronari Jim Ratcliffe, drejtori ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori sportiv Jason Wilcox do të vendosin për të ardhmen e Carrick.
Mauricio Pochettino shihet si kandidati kryesor për ta zëvendësuar. Sipas ESPN, për ta marrë atë, Unitedit do t’i duhet t’i paguajë Federatës Amerikane të Futbollit rreth 8.6 milionë euro kompensim.
