Barcelona po kërkon një qendërmbrojtës për ta marrë në huazim deri në fund të sezonit. Me financat e klubit nën trysni, kufiri i pagave nuk i lejon shpenzime mbi katër milionë euro. Një investim më i madh do të ishte i mundur vetëm nëse më parë realizohet një shitje.
Në këto kushte, inteligjenca artificiale i ka paraqitur drejtorit sportiv Deco gjashtë emra që mund të jenë të disponueshëm për huazim gjatë afatit kalimtar të janarit. Secili shihet si alternativë për mbrojtjen e Hansi Flickut në pjesën vendimtare të sezonit.
Sipas gazetës Sport, listën e kryeson Vitor Reis. Braziliani i Manchester Cityt është i aftë në lojën me topin dhe e njeh futbollin spanjoll nga periudha kur luajti në La Liga me Gironën. Një huazim gjashtëmujor i 20-vjeçarit mund t’u shkonte për shtat të gjitha palëve, ndonëse përvoja e tij e kufizuar në ndeshje të nivelit të lartë mbetet një dobësi.
Pas tij renditet Lucas Beraldo i Paris Saint-Germainit. Mbrojtësi brazilian 22-vjeçar luan me këmbën e majtë, e shpërndan mirë topin dhe është mësuar me një vijë të lartë mbrojtëse. Për Barcelonën, vështirësia do të ishte ta bindte PSG-në t’ia jepte në huazim një futbollist një rivali të drejtpërdrejtë në garat evropiane.
Alternativa e tretë është Piero Hincapie i Arsenalit. Mbrojtësi 24-vjeçar shihet si ai që përputhet më mirë me filozofinë e Hansi Flickut: është i shpejtë, agresiv dhe mund të luajë si në qendër, ashtu edhe në krahun e majtë të mbrojtjes. Huazimi i tij, megjithatë, është jashtëzakonisht i vështirë, pasi kontrata me Arsenalin zgjat deri në vitin 2031.
Në mesin e gjashtë emrave është edhe Jorrel Hato i Chelseat. Holandezi 20-vjeçar vlerësohet për leximin taktik të lojës, shpejtësinë me të cilën nis aksionet dhe cilësitë që i përshtaten Barcelonës. Chelsea, nga ana tjetër, e sheh si investim afatgjatë dhe ka pak arsye ta lejojë të largohet.
Dy kandidatët e mbetur lidhen me mundësi që mund të lindin nga situata e kontratave të tyre. Njëri është Fikayo Tomori i Milanit, marrëveshja e të cilit përfundon në qershor të vitit 2027. Kjo mund të krijojë hapësirë për bisedime rreth një huazimi. Mbrojtësi 28-vjeçar ka shpejtësinë dhe përvojën ndërkombëtare që kërkon Flicku.
Listën e mbyll Lisandro Martinez i Manchester Unitedit. Argjentinasi 28-vjeçar ka më shumë përvojë se pesë kandidatët e tjerë dhe konsiderohet lider i lindur. Ai dallohet për këmbën e majtë të fortë dhe aftësinë për të ndërtuar aksione, ndërsa profili i tij ngjan me atë të Inigo Martinezit.
Kontrata e Lisandro Martinezit me Unitedin skadon në vitin 2027 dhe parashikon mundësinë e zgjatjes edhe për një sezon. Paga e lartë dhe problemet e shpeshta me lëndime mbeten dy pengesat kryesore për një transferim të mundshëm.
