Barcelona ka kërkuar sërish të mësojë nëse mund ta transferojë qendërmbrojtësin e Bayern Munichut, Jonathan Tah, gjatë afatit kalimtar të janarit.
Kampionia në fuqi e La Ligës po kërkon një mbrojtës me përvojë për të luajtur në qendër të mbrojtjes përkrah talentit të ri Pau Cubarsi.
Gazetari i Sky Germany, Florian Plettenberg, raporton se drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, dhe trajneri Hansi Flick janë interesuar për gjendjen aktuale të 30-vjeçarit gjerman në Bavari.
Deco dhe Flick e vlerësojnë ende lart mbrojtësin shtatlartë. Me synimin për të forcuar mbrojtjen në pjesën e dytë të sezonit, Barcelona ka marrë kontakt për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Klubi katalunas e kishte shqyrtuar mundësinë e afrimit të Tah edhe në vitin 2025, kur kontratës së tij me Bayer Leverkusenin po i vinte fundi.
Barcelona e konsideroi seriozisht transferimin atëherë, por vendosi të mos i çonte përpara negociatat. Kjo i hapi rrugë kalimit të mbrojtësit te rivali vendas, Bayern Munich.
Pas mbërritjes në “Allianz Arena”, Tah është bërë pjesë e padiskutueshme e formacionit titullar të kampionëve gjermanë.
Ai ka regjistruar 67 paraqitje në të gjitha garat me Bayernin, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë tri asistime, çka ka përforcuar vendin e tij në formacionin bazë.
Megjithatë, sipas gazetarit gjerman, pavarësisht interesimit të ri të Barcelonës, një transferim në mes të sezonit nuk shihet si i realizueshëm në rrethanat aktuale.
