Uli Hoeness ka shprehur pasiguri për mundësinë që Jamal Musiala të rikthehet në formën që kishte më parë. Presidenti i nderit i Bayern Munichut foli për gjendjen shëndetësore të mesfushorit 23-vjeçar, duke ngjallur shqetësim në Gjermani.
Hoeness ishte i ftuar të dielën në emisionin “Sonntags-Stammtisch”, të transmetuesit publik bavarez BR, ku komentoi situatën e futbollistit.
“Me të, jemi në dilemë. Është një sëmundje që nuk shërohet, por mund të kontrollohet deri diku. A do ta ketë ndonjëherë aftësinë që kishte dikur…”, tha ai, duke lënë të hapur pikëpyetjen nëse Musiala mund të arrijë sërish nivelin e tij më të mirë.
Ai u ndal edhe te kontrata e lojtarit, duke theksuar se Musiala vijon të paguhet dhe se klubi duhet t’i qëndrojë pranë në këtë periudhë të vështirë. “Vetëm imagjinoni nëse Bayerni do të fillonte tani të vinte në pikëpyetje kontratën e tij”, shtoi Hoeness.
Gjatë gushtit, brenda pak ditësh, Musiala pati dy episode të humbjes së shkurtër të vetëdijes në ndeshjet miqësore ndaj Leipzigut dhe Heidenheimit. Më pas, futbollisti gjerman shpjegoi se ato lidhen me një çrregullim neurologjik të trajtueshëm.
Aktualisht, 23-vjeçari nuk luan për shkak të një dëmtimi muskulor të pësuar gjatë kampit stërvitor të Kombëtares së Gjermanisë. Tifozët e Bayernit shpresojnë që ai të jetë sa më shpejt sërish në dispozicion të skuadrës.
Pak ditë më parë, edhe legjenda e futbollit gjerman Lothar Matthäus kishte ngritur dyshime se dëmtimi i Musialës mund të ishte më serioz nga sa kishte njoftuar klubi bavarez.
