Robert Gjeraj synon Ligën e Parë me Drinin e Bardhë: Nga kapiten i Lirisë te sfida në pankinë

KF Drini i Bardhë po zhvillon një sezon të mirë në Ligën e Dytë të Kosovës. Pas 13 xhirove, skuadra gjendet në vendin e tretë me 31 pikë, po aq sa kanë edhe Sharri e Fushë Kosova. Ekipi i Robert Gjerajt ka marrë dhjetë fitore, një barazim dhe dy humbje, ndërsa ndodhet gjashtë pikë larg liderit…

Robert Gjeraj synon Ligën e Parë me Drinin e Bardhë: Nga kapiten i Lirisë te sfida në pankinë

KF Drini i Bardhë po zhvillon një sezon të mirë në Ligën e Dytë të Kosovës. Pas 13 xhirove, skuadra gjendet në vendin e tretë me 31 pikë, po aq sa kanë edhe Sharri e Fushë Kosova.

Ekipi i Robert Gjerajt ka marrë dhjetë fitore, një barazim dhe dy humbje, ndërsa ndodhet gjashtë pikë larg liderit Ulpiana. Në ndeshjen e fundit, Drini mposhti Sharri 2-0, duke konfirmuar formën e mirë të javëve të fundit.

Rezultatet e deritanishme e kanë kënaqur trajnerin, i cili ka veçuar karakterin dhe disiplinën e lojtarëve, sidomos në momentet më të rëndësishme të ndeshjeve. Ai beson se skuadra mund të paraqitet edhe më mirë në vazhdim të kampionatit.

Gjeraj, ish-futbollist dhe ish-kapiten i Lirisë së Prizrenit, tashmë po përballet me një kapitull të ri në karrierën e tij, atë të trajnerit. Përvojën e fituar gjatë viteve në fushë po përpiqet ta përcjellë te futbollistët e Drinit të Bardhë.

Në një intervistë për Telegrafin, ai ka folur për ecurinë e ekipit, arsyet e rezultateve pozitive, rivalitetin në Ligën e Dytë dhe synimet e klubit për pjesën e mbetur të sezonit.

Sipas trajnerit, kontributi kryesor për sukseset e arritura u takon lojtarëve, të cilët kanë punuar dhe janë angazhuar maksimalisht. Ai ka vlerësuar gjithashtu rolin e kryesisë së klubit, donatorëve dhe tifozëve.

Gjeraj ka theksuar se mbështetja nga rajoni i Hasit dhe zonat e tjera ka ndihmuar në krijimin e kushteve të nevojshme për rezultate të mira. Për të, prania e publikut në çdo ndeshje mbetet një tjetër faktor i rëndësishëm.

Trajneri e sheh Ligën e Dytë si një kampionat që ka bërë hapa përpara në cilësi dhe organizim. Sipas tij, përfshirja e lojtarëve të rinj të ardhur nga ekipet U21 e ka bërë garën edhe më të fortë.

Ulpiana, Sharri, Fushë Kosova dhe Besa e Artë janë skuadrat që Gjeraj i konsideron pretendente për titull. Në këtë grup ai përfshin edhe KEK-un, që pas privatizimit të klubit mund të rivalizojë për kreun e tabelës.

Objektivi i Drinit të Bardhë është i qartë: sigurimi i një vendi në Ligën e Parë. Pozita aktuale në pjesën e sipërme të renditjes shihet si një arritje e rëndësishme, veçanërisht pasi klubi po luan vetëm sezonin e dytë në Ligën e Dytë.

Gjeraj ka kujtuar se përballë tyre janë edhe ekipe që më parë kanë qenë pjesë e Superligës, çka e bën garën veçanërisht të vështirë. Megjithatë, ai synon që përmes punës, angazhimit, disiplinës dhe mbështetjes së tifozëve e donatorëve, Drini ta realizojë ëndrrën për t’u ngjitur në Ligën e Parë.

Kalimi nga futbollist aktiv në trajner ka qenë një nga sfidat më të mëdha për të. Kanë kaluar tri vite që kur është larguar nga futbolli i luajtur, por në situata të caktuara ai ende e analizon lojën nga perspektiva e një futbollisti.

Përshtatjen me rolin e ri ia kanë lehtësuar cilësia e lojtarëve që ka në dispozicion, sinqeriteti dhe dashuria për futbollin. Megjithatë, Gjeraj e di se vazhdimësia e një trajneri varet nga rezultatet dhe se skuadra duhet të vazhdojë të fitojë.