Mesfushori belg William Baeten, i cili iu bashkua Dritës gjatë verës së vitit 2026, raportohet se merr rreth 12,500 euro në muaj. Sipas të dhënave të publikuara nga mediumi rumun ProSport, ai është ndër futbollistët më të paguar në futbollin kosovar.
Nëse kjo shifër është e saktë, paga vjetore e Baetenit arrin afërsisht 150 mijë euro, pa përfshirë bonuset apo përfitimet e tjera të mundshme që parashikon marrëveshja me klubin gjilanas. Kjo e rendit atë mes lojtarëve me pagat më të larta të raportuara ndonjëherë në Kosovë.
Para se të transferohej te Drita, 29-vjeçari kaloi nëpër futbollin rumun dhe atë shqiptar. Ai u ble nga FCSB prej FCU Craiova për rreth 300 mijë euro, por nuk arriti të fitonte rol të rëndësishëm në ekip. Pas vetëm një viti, u largua pa pagesë transferimi.
Më pas, Baeten u angazhua te Flamurtari në Shqipëri. Qëndrimi i tij zgjati rreth gjashtë muaj dhe përfundoi në fillim të vitit 2026. Pas largimit nga klubi shqiptar, mesfushori vazhdoi karrierën në Kosovë, duke nënshkruar me Dritën.
Futbollisti belg u përmend sërish në mediat rumune edhe për përplasjen ligjore me ish-klubin FCSB dhe pronarin e tij, Gigi Becali. Më 23 shtator 2026, FIFA e ndaloi klubin rumun të regjistronte lojtarë në tri afatet e ardhshme kalimtare, për shkak të një borxhi prej rreth 50 mijë eurosh ndaj Baetenit.
FCSB e shlyeu më pas detyrimin ndaj futbollistit, duke i dhënë fund çështjes që kishte sjellë sanksionin. Në këtë mënyrë, Baeten siguroi pagesën që i takonte nga ish-klubi.
Edhe periudha e tij te Drita është shoqëruar me vështirësi. Pasi kishte nisur të luante rregullisht, Baeten pësoi një dëmtim muskulor dhe qëndroi jashtë fushës për rreth dy muaj.
Ai mungoi në pesë ndeshje, ndërsa në dy takimet e fundit ishte në stol, por nuk u aktivizua. Deri më tani, Baeten ka zhvilluar 11 ndeshje me Dritën në të gjitha garat dhe ka dhënë dy asistime.
