Illan Meslier është shumë pranë kalimit te Arsenali, me portierin francez që pritet t’i bashkohet skuadrës londineze si lojtar i lirë, pas mbylljes së kontratës së tij me Leeds United.
Sipas “The Athletic”, 26-vjeçari do të zhvendoset në “Emirates Stadium” nëse përfundon me sukses vizitat mjekësore. Në këtë mënyrë, ai do të bëhet afrimi i dytë i përhershëm i Arsenalit gjatë kësaj vere, pas aktivizimit të klauzolës për blerjen definitive të Piero Hincapies nga Bayer Leverkuseni.
Gjatë shtatë viteve te Leeds United, Meslier ishte për gjashtë sezone portieri i parë i ekipit dhe kontribuoi në sigurimin e dy promovimeve për klubin. Në bilancin e tij figurojnë gjithashtu mbi 100 ndeshje në Ligën Premier.
Megjithatë, edicioni 2025/26 rezultoi zhgënjyes për portierin francez. Karl Darlow mori fanellën e titullarit, ndërsa Meslier nuk luajti asnjë minutë me ekipin e parë, duke u aktivizuar vetëm me skuadrën U21 të Leedsit.
Për sezonin e ardhshëm, David Raya pritet të vazhdojë si portieri kryesor i Arsenalit, por afrimi i Meslier i shton Mikel Artetas më shumë opsione në repartin e portës.
Sipas raportimeve, transferimi i Meslier mund të krijojë mundësinë për huazimin e portierit të ri anglez Tommy Setford, i cili vlerësohet si një talent premtues, por për të cilin klubi mendon se i duhen më shumë minuta në një nivel më konkurrues.
Në të njëjtën kohë, Kepa Arrizabalaga mbetet aktualisht zëvendësuesi i Rayas, por megjithëse ka ende dy vite kontratë, raportohet se ai mund të largohet për të gjetur një ekip ku të ketë rolin e portierit titullar.
Në fillim, Meslier pritet të jetë alternativa e tretë në portë, por nëse Kepa largohet, ai mund të avancojë si portieri i dytë i Arsenalit për sezonin 2026/27.
Ndonëse rrjedha e karrierës së tij nuk mori drejtimin që pritej pas shpërthimit te Leeds United, te Arsenali mendojnë se eksperienca e francezit dhe fakti që ai mund të merret pa dëmshpërblim e bëjnë këtë transferim një lëvizje me vlerë për skuadrën e Mikel Artetas.


