Raundi i 1/8 së finales në Kupën e Botës është mbyllur pas fitoreve të mbrëmjes së sotme, ku Argjentina triumfoi 3-2 ndaj Egjiptit, ndërsa Zvicra kaloi Kolumbinë pas barazimit 0-0 dhe suksesit 4-3 në penallti.
Me këtë fazë tashmë të përfunduar, janë konfirmuar të gjitha çiftet e çerekfinaleve, ku garën do ta vijojnë gjashtë Kombëtare nga Evropa, një përfaqësuese afrikane dhe një nga Amerika e Jugut.
E mërkura do të jetë dita e parë pa asnjë takim në këtë Botëror, pasi deri në këtë moment janë luajtur 96 ndeshje. Deri në mbylljen e turneut kanë mbetur vetëm edhe tetë përballje: katër çerekfinale, dy gjysmëfinale, finalja dhe ndeshja për vendin e tretë.
Çerekfinalet hapen të enjten me ndeshjen Francë – Marok, ndërsa të premten do të luhet takimi Spanjë – Belgjikë. Skuadrat fituese të këtyre dy dueleve do të ndeshen më pas në gjysmëfinale.
Në vazhdim, të shtunën është parashikuar përballja mes Norvegjisë dhe Anglisë, ndërsa faza çerekfinale do të përfundojë me duelin mes Argjentinës dhe Zvicrës.
Kjo ndeshje e fundit pritet të jetë një nga sfidat më të forta të kësaj faze, teksa Lionel Messi dhe kampionët në fuqi të botës do të masin forcat me Zvicrën e Granit Xhakës për një vend në gjysmëfinale.
Çiftet çerekfinale të Kupës së Botës:
Francë – Marok (9 korrik, ora 22:00)
Spanjë – Belgjikë (10 korrik, ora 21:00)
Norvegji – Angli (11 korrik, ora 23:00)
Argjentinë – Zvicër (12 korrik, ora 03:00)


