Menjëherë pas sfidës së humbur 3-2 ndaj Anglisë në fazën e 1/16 së finales së Botërorit, sulmuesi i Meksikës Santiago Gimenez u dërgua me urgjencë në spital për shkak të një dëmtimi të rëndë në kyçin e këmbës.
Futbollisti u hodh në fushë si zëvendësues në minutat e fundit, në kohën kur Meksika po përpiqej të gjente golin e barazimit për ta çuar ndeshjen në vazhdime.
Por në minutën e 98-të, sulmuesi i Milanit u ul në mënyrë të pafat mbi kyçin e këmbës gjatë ndjekjes së një topi. Ai përfundoi menjëherë në tokë dhe shpërtheu në britma nga dhimbja.
Në fillim tentoi të largohej duke çaluar nga fusha, por më pas u transportua për në spital, ndërsa në ‘Estadio Azteca’ lojtarët e Anglisë po festonin kualifikimin.
Si pasojë e këtij dëmtimi, Meksika i luajti minutat e fundit me 10 lojtarë. Në të njëjtën situatë ishte edhe Anglia, që mbeti me një futbollist më pak pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 54-të, kur anglezët kryesonin 2-1.
Gazetari meksikan Ruben Rodriguez ka bërë të ditur se kontrollet mjekësore kanë konfirmuar një ndrydhje të shkallës së dytë në kyçin e këmbës për Gimenez, ndërsa mungesa e tij pritet të zgjasë rreth tetë javë.
Problemet fizike nuk munguan as te skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel, madje në rrethana të pazakonta.
Pas ndeshjes, gjatë festimeve, mesfushori Jordan Henderson humbi ekuilibrin teksa po kalonte mbi një tabelë reklamuese dhe u rrëzua duke rënë direkt mbi kyçin e dorës.
Lojtari i Brentford po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, ndërsa Tuchel është shprehur se dëmtimi i tij “duket vërtet shumë i rëndë”.


