Teuta do të ketë në organikë Sherif Kallakun. Mesfushori 28-vjeçar i ka dhënë fund eksperiencës së tij me Vllazninë dhe ka zgjedhur të rikthehet edhe një herë në Durrës.
Marrëveshja është finalizuar dhe lojtari pritet t’i bashkohet shumë shpejt skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova. Vlen të kujtohet se “Newsport.al” kishte raportuar që më 17 qershor për kontaktet mes klubit durrsak dhe Kallakut.



Ndonëse në fillim drejtuesit e Vllaznisë nuk kishin ndërmend ta linin të largohej, madje i rinovuan edhe kontratën për një vit tjetër, pas diskutimeve të shumta kanë tërhequr qëndrimin, duke mos i dalë pengesë 28-vjeçarit në vijimin e karrierës.


Për Kallakun bëhet fjalë për një kthim të njohur te Teuta. Ai ka qenë pjesë e ekipit durrsak gjatë viteve 2018-2020, më pas edhe në vitin 2021 për një periudhë të shkurtër. Një tjetër rikthim e bëri në vitin 2023, kur luajti në gjysmën e dytë të sezonit.

Ishte pikërisht me Teutën, e cila në atë periudhë drejtohej nga trajneri Edi Martini, që mesfushori u shndërrua në një nga protagonistët e titullit kampion të fituar në sezonin 2019/2020.



