Festimi i njohur i Donald Trumpit është rikthyer sërish në fokusin e sportit, pasi futbollistët e Belgjikës e përdorën atë pas golit të katërt kundër SHBA-së në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës.
Shumë tifozë e lexuan gjestin e belgëve si një ironi ndaj presidentit amerikan, sidomos pas debatit që i parapriu sfidës, kur Trump kishte ndërhyrë për të ndihmuar në heqjen e pezullimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili fillimisht rrezikonte të mungonte për shkak të kartonit të kuq.
Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që ky festim shfaqej para kamerave nga sportistë të ndryshëm.
Gjatë viteve të fundit, “Trump dance” është kthyer në një dukuri që ka dalë përtej politikës dhe është parë në disa nga sportet më të mëdha në botë.
Ky kërcim përfshin lëvizje të ijeve, grushte të ngritur lart dhe, në disa raste, edhe imitimin e një goditjeje golfi. Rutinës iu dha famë nga Trump pas fushatës së tij presidenciale dhe fitores ndaj Kamala Harris.
Nga NFL te futbolli ndërkombëtar
Disa ditë pasi Trump fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane, lojtari i futbollit amerikan Nick Bosa e bëri këtë kërcim gjatë një feste me shokët e skuadrës te San Francisco 49ers.
Më herët, Bosa ishte ndëshkuar me gjobë nga NFL, pasi në një intervistë televizive pas një ndeshjeje ishte shfaqur me një kapele me mesazh pro-Trump.
Më pas, edhe emra të tjerë të NFL-së e përsëritën festimin, mes tyre Brock Bowers, Calvin Ridley dhe Za’Darius Smith, si edhe disa sportistë të tjerë të futbollit amerikan.
Trendit iu bashkua edhe Christian Pulisic, ylli i kombëtares së SHBA-së.
Pasi shënoi në ndeshjen e Ligës së Kombeve të CONCACAF kundër Xhamajkës, ai zgjodhi të festonte me “vallëzimin e Trumpit”.
Më vonë, kjo mënyrë festimi kaloi edhe përtej SHBA-së. Golfistja britanike Charley Hull e realizoi në një turne të LPGA Tour, ndërsa lojtarët e Barnsley festuan po njësoj pas një goli kundër Cambridge United.
Pse po e bëjnë sportistët?
Shpjegimet pas këtij festimi nuk kanë qenë gjithmonë të qarta. Për disa sportistë, ai duket të jetë thjesht një prirje e rrjeteve sociale dhe një formë argëtimi gjatë festës.
Sidoqoftë, disa prej tyre kanë treguar edhe arsyet personale që i shtynë ta përdornin.
Luftëtari i UFC-së Jon Jones e bëri kërcimin pasi mbrojti titullin e kampionit në peshat e rënda ndaj Stipe Miocic në “Madison Square Garden”, duke falënderuar Trumpin për praninë e tij në event.
“Dua të falënderoj shumë presidentin Donald Trump që ishte këtu. Çfarë mendoni për versionin tim të vallëzimit të Donald Trumpit?”, kishte thënë Jones pas duelit.
Më pas, Trump e publikoi videon e atij momenti në platformën e tij “Truth Social”.
Nga ana tjetër, Pulisic këmbënguli se festimi i tij nuk kishte prapavijë politike.
“E pashë që të gjithë po e bënin në NFL, pashë Jon Jones duke e bërë dhe thjesht po argëtoheshim. Natyrisht që është ‘Trump Dance’, por ishte vetëm një kërcim që të gjithë po e bënin”, deklaroi sulmuesi amerikan.
Edhe NFL ka sqaruar se nuk do të ndërmarrë masa ndaj lojtarëve që e përdorin këtë festim, pasi liga nuk e sheh atë si deklaratë politike.
Zëdhënësi i NFL-së Brian McCarthy e cilësoi atë si një “festim të zakonshëm” dhe tha se nuk ekzistonte asnjë problem që sportistët ta përdornin.


