Aurelien Tchouameni flet për incidentin me Fede Valverden dhe mohon ta ketë goditur

Aurelien Tchouameni flet për incidentin me Fede Valverden dhe mohon ta ketë goditur

Lajme

Aurelien Tchouameni, mesfushori i Real Madridit, ka reaguar për herë të parë lidhur me episodin e ndodhur me Federico Valverden në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas, duke hedhur poshtë pretendimet se e kishte qëlluar me grusht shokun e skuadrës.

Disa ditë pasi foli Valverde, qëndrimin e tij e ka bërë publik edhe mesfushori francez, i cili theksoi se një pjesë e madhe e asaj që është raportuar nuk përputhet me të vërtetën.

“Natyrisht, ndodhën disa gjëra dhe ju i patë e i dëgjuat në media. U ekzagjeruan sepse u bënë lajm dhe kur luan për Real Madridin, kjo krijon një reagim të madh”.

“Në media u thanë shumë gjëra pa kuptim. Lexova se kishte pasur një përleshje dhe se e kisha goditur me grusht… Nuk ishte kështu. Nuk do të hyj në më shumë detaje”, deklaroi Tchouameni.

Incidenti mori vëmendje të madhe mediatike pasi u raportua se Valverde përfundoi në spital dhe iu nënshtrua trajtimit me qepje në kokë, ndërsa klubi ndëshkoi të dy lojtarët me gjobë për shkelje disiplinore.

Tchouameni shtoi se situata është trajtuar brenda klubit dhe se raporti i tij me Valverden është i rregullt.

“Gjëja më e rëndësishme është se klubi ishte në dijeni të asaj që ndodhi. Ka shumë gjëra që ndodhin në dhomën e zhveshjes dhe nuk dalin në media. Jeta vazhdon”.

“Unë dhe Fede kemi një objektiv të përbashkët: të fitojmë trofe me Real Madridin. Nuk ka probleme. Dhe nëse përballemi në Kupën e Botës, secili do të bëjë maksimumin për kombëtaren e tij. Në nivel personal, tani nuk ka asnjë problem me Valverden”, përfundoi ai.

Sipas raportimeve, te Real Madridi kishte më shumë shqetësim për faktin që ngjarja doli në media sesa për vetë përplasjen mes dy futbollistëve./

Promo