Anglia kalon në çerekfinale pas thrillerit në “Azteca”, Meksika mposhtet 3-2 dhe Bellingham shkëlqen

Anglia kalon në çerekfinale pas thrillerit në “Azteca”, Meksika mposhtet 3-2 dhe Bellingham shkëlqen

Lajme

Anglia ka prerë biletën për në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti Meksikën me rezultatin 3-2 në stadiumin legjendar “Azteca”.

Në një sfidë me shumë tension, episode vendimtare dhe përmbysje emocionesh, emri që spikati më shumë ishte ai i Jude Bellingham, autor i dy golave.

Takimi për anglezët nisi me vështirësi, teksa Declan Rice u ndëshkua me karton të verdhë që në minutën e parë.

Në fazën hapëse, Meksika pati më shumë kontroll të lojës dhe regjistroi rastin e parë të pastër në minutën e 15-të, por Jordan Pickford ndali goditjen me kokë të Raul Jiménez. Edhe pse vendasit ushtronin presion, ishte Anglia që gjeti avantazhin në minutën e 36-të, kur Bukayo Saka shërbeu për Bellingham dhe ai realizoi me kokë.

Vetëm dy minuta më pas, skuadra angleze goditi sërish. Pas një lëvizjeje të shpejtë dhe një kombinimi me Harry Kane, Bellingham realizoi edhe golin e tij të dytë, duke çuar shifrat në 2-0.

Reagimi i Meksikës erdhi përpara intervalit. Në minutën e 42-të, Julian Quinones shfrytëzoi një top të kthyer dobët nga mbrojtja angleze pas një goditjeje standarde dhe shënoi nga brenda zonës për të ngushtuar diferencën. Deri në mbyllje të pjesës së parë, vendasit krijuan edhe situata të tjera të rrezikshme, por Pickford dhe prapavija angleze ruajtën epërsinë.

Fraksioni i dytë u hap me intensitet dhe me mundësi për Anglinë, por kthesa kryesore e sfidës ndodhi në minutën e 53-të. Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje të rrezikshme, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe pas verifikimit nga VAR-i. Megjithatë, edhe me një lojtar më pak, Anglia fitoi penallti në minutën e 58-të, pasi Anthony Gordon u pengua në zonë. Harry Kane ekzekutoi saktë dhe shënoi për 3-1.

Meksika nuk hoqi dorë dhe u fut sërish në ndeshje në minutën e 68-të, kur Raul Jimenez realizoi nga penalltia pas një tjetër rasti të kontrolluar nga VAR.

Në minutat e mbetura, vendasit shtuan trysninë dhe e mbajtën të rrethuar portën e Pickford, por Anglia ia doli të qëndrojë deri në fund, duke përballuar edhe 11 minuta shtesë.

Pas këtij suksesi, Anglia avancon në çerekfinale, ku do të ndeshet me Norvegjinë, skuadër që më herët nxori jashtë Brazilin. Kjo sfidë është caktuar të luhet më 11 korrik në Miami.

Promo