Haaland pas suksesit historik: Nata më e çmendur që ka përjetuar ndonjëherë Norvegjia

Haaland pas suksesit historik: Nata më e çmendur që ka përjetuar ndonjëherë Norvegjia

Lajme

Pas fitores së madhe 2-1 të Norvegjisë ndaj Brazilit në 1/8 e finales së Kupës së Botës, Erling Haaland ka reaguar për një rezultat që shënon një kapitull të ri në historinë e futbollit norvegjez.

Ylli i Manchester City-t, autor i të dy golave në këtë përballje, e cilësoi këtë si një prej momenteve më të rëndësishme që ka përjetuar vendi i tij.

“Kjo është, mendoj, dita dhe nata më e çmendur në historinë e Norvegjisë”, deklaroi Haaland pas ndeshjes.

Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, në kampin norvegjez shpërthyen emocionet. Haaland dhe disa prej futbollistëve u panë në lot, të prekur nga ky sukses historik dhe nga sigurimi i një vendi në çerekfinale.

“Shpresoj që kjo do të frymëzojë krenari për të luajtur për Norvegjinë. Të luash për ekipin kombëtar është një gjë jashtëzakonisht e madhe. Sinqerisht, nuk mendoja shumë për këtë kur isha më i ri, por tani e kuptoj vërtet vlerën e tij”, shtoi ai.

Haaland komentoi edhe performancën e tij, duke vënë në dukje instinktin që ka para portës: “Nëse kam një ose dy raste, zakonisht shënoj. Nuk e di saktësisht si e bëj, por gjithçka ka të bëjë me përqendrimin dhe besimin se shansi do të vijë”, tha Haaland.

Me këtë sfidë, ai ka shkuar në 62 gola në 54 paraqitje me Norvegjinë, duke forcuar më tej reputacionin e tij si një nga sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin botëror.

Triumfi ndaj Brazilit mbetet një nga momentet më të mëdha për Norvegjinë, e cila vijon rrugëtimin e saj në Kupën e Botës me vetëbesim të lartë dhe me një brez të ri që po hyn në histori.

Promo