Ivan Perisic kaloi Kroacinë në avantazh ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës, edhe pse në përfundim skuadra e tij u mposht 2-1 dhe i dha fund rrugëtimit në turne.
Goli i realizuar prej tij në minutën e 53-të pati peshë të madhe në planin personal. Me këtë realizim, Perisic ka gjetur rrugën e rrjetës në katër edicione të ndryshme të Kupës së Botës, ndërsa falë asistimit ndaj Anglisë më herët gjatë këtij turneu, ai ka dhënë gjithashtu asist në katër Kupa Bote të ndryshme.
Në moshën 37-vjeçare, kroati është bërë futbollisti i vetëm përkrah Lionel Messit që ka arritur të shënojë dhe të asistojë në katër Kupa Bote të ndryshme. Perisic ka regjistruar të paktën një gol dhe të paktën një asistim në ‘Brazil 2014’, ‘Rusi 2018’, ‘Katar 2022’ dhe në këtë Kupë Bote në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Pas ndeshjes ndaj Anglisë, kompanitë e statistikave bënë të ditur se Perisic ishte lojtari i dytë në histori, pas Messit, që ka asistuar në katër Kupa Bote të ndryshme.
Realizimi ndaj Portugalisë ishte goli i tij i shtatë në Kupën e Botës. Me këtë shifër, ai la pas Davor Suker, që kishte shënuar gjashtë gola për Kroacinë në Kupën e Botës, duke u bërë golashënuesi më i mirë kroat në historinë e këtij kompeticioni.
Para nisjes së këtij turneu, Perisic numëronte gjashtë gola në Kupën e Botës: dy në Brazil, tre në Rusi dhe një në Katar.
Në total, në katër Kupa Bote, Perisioc ka mbledhur shtatë gola dhe gjashtë asistime, pra 13 përfshirje të drejtpërdrejta në golat e Kroacisë. Veçanërisht spikat paraqitja e tij në Katar, ku realizoi një gol dhe dhuroi tre asistime, ndërsa më pas FIFA e përfshiu mes asistuesve më të mirë të turneut. //


