Një kompleks modern sportiv pritet të ndërtohet në Laç, pas dakordësisë së arritur mes Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkisë Kurbin dhe Klubit të Futbollit Laçi për realizimin e këtij investimi strategjik.
Takimi u zhvillua sot mes presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, ndërsa në fokus ishte zhvillimi i infrastrukturës sportive në qytetin e Laçit, si edhe thellimi i bashkëpunimit institucional në shërbim të futbollit dhe komunitetit.
Mbështetja për këtë projekt është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, ndërkohë që marrëveshja mes tre palëve sanksionon angazhimin e përbashkët për të çuar përpara një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në zonën e Kurbinit.
Sipas projektit, kompleksi i ri do të ndërtohet me standarde moderne dhe do të ketë dy fusha futbolli me bar artificial me përmasa standarde, një fushë me bar natyral me përmasa standarde, si edhe një fushë me përmasa të vogla. Në këtë mënyrë, ai do të shndërrohet në një qendër të plotë për stërvitje dhe zhvillimin e futbollit.
Federata Shqiptare e Futbollit do të mbulojë 50% të vlerës totale të investimit, Bashkia Kurbin do të japë 30%, ndërsa KF Laçi do të kontribuojë me 20%, ku përfshihet edhe vlera e truallit të vënë në dispozicion nga klubi.
Zbatimi i investimit është parashikuar në tre faza. Në etapën e parë, për të cilën FSHF, Bashkia Kurbin dhe KF Laçi kanë rënë dakord të kontribuojnë së bashku, do të realizohen fushat sportive, infrastruktura rrugore e kompleksit dhe rrethimi i tij. Më tej, në fazat pasuese, do të ndërtohen tribunat, ambientet mbështetëse me dhomat e zhveshjes, si edhe godina e hotelit, duke e përmbyllur kompleksin sipas projektit të planifikuar.
Ky projekt konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në kuadër të strategjisë së FSHF-së për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, me synimin për të krijuar kushte bashkëkohore për futbollin dhe për të mbështetur brezat e rinj.
Kompleksi do të ofrojë kushte moderne për zhvillimin e futbollit në çdo nivel dhe do të ketë një rol të rëndësishëm për aktivitetin e KF Laçit, akademive sportive, ekipeve kombëtare, si edhe për komunitetin e Bashkisë Kurbin. Po ashtu, investimi do të ndikojë në rritjen e standardeve të infrastrukturës sportive dhe në krijimin e mundësive më të mira për evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj.
Realizimi i këtij projekti rikonfirmon edhe një herë modelin e bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit, pushtetit vendor dhe klubeve, si forma më efikase për të sjellë investime të qëndrueshme në dobi të futbollit dhe komuniteteve lokale.
FSHF thekson se mbetet e përkushtuar për të vijuar me investime strategjike në infrastrukturën sportive në të gjithë Shqipërinë, me objektivin për të siguruar kushte sa më cilësore për zhvillimin e futbollit dhe për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat që vijnë.








