Çështja e gjatë gjyqësore mes Manchester Cityt dhe Ligës Premier po hyn në një fazë vendimtare, teksa opinioni futbollistik pret verdiktin lidhur me 115 shkeljet e dyshuara financiare që rëndojnë mbi kampionët e Anglisë.
Edhe pse kundërshtarët dhe kritikët e klubit kanë kërkuar masën më të ashpër, deri te rënia nga kategoria, po forcohet ideja se Liga Premier mund të mos jetë e gatshme të ndëshkojë një prej klubeve më të fuqishme në futbollin botëror.
Ish-skauti Bryan King ka deklaruar se, në rast se një komision i pavarur e gjen Manchester Cityn fajtor për të 115 akuzat, atëherë skuadra duhet të bjerë automatikisht në Championship.
Që prej shkurtit të vitit 2023, Manchester City është nën hetim, pasi Premier League formalizoi akuzat pas një procesi të gjatë hetimor mbi parregullsi të dyshuara financiare, që shtrihen në një periudhë pothuajse dhjetëvjeçare.
“E vetmja mënyrë për t’u dhënë një mësim është t’i dërgosh në Championship. Por kjo nuk do të ndodhë, apo jo? Nuk do të ndodhë. Edhe nëse i gjobisin me një shumë marramendëse parash, çfarë ndryshon? Ata mund ta paguajnë atë”, u shpreh King.
Ai shtoi gjithashtu: “Nëse vendosin një gjobë prej 500 milionë eurosh ose një shifër tjetër të çmendur, a do të ndikojë kjo te rregullat e fair play financiar dhe te mënyra se si e kanë financuar klubin?”.
Akuzat konsiderohen serioze dhe përfshijnë mosparaqitje të informacionit të saktë financiar, si edhe mungesë bashkëpunimi gjatë hetimit. Megjithatë, po shtohet perceptimi se pesha dhe ndikimi i Manchester Cityt e bëjnë klubin pothuajse të paprekshëm.
Sipas King, ndonëse shumëkush në opinionin publik do të donte të shihte një ndëshkim historik, autoritetet përkatëse mund të tregohen të tërhequra përballë mundësisë së rrëzimit të një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
“Dënimi më i rëndë do të ishte heqja e pikëve dhe rënia nga kategoria. Por kjo nuk do të ndodhë. Manchester City është shumë i fuqishëm në Ligën Premier. Është shumë i fuqishëm në Angli”.
“Të gjithë do të donin ta shihnin këtë të ndodhte. Por a janë Liga Premier apo Federata Angleze të forta mjaftueshëm për ta bërë? Sinqerisht, unë nuk besoj”, përfundoi ish-skauti.



