Thomas Partey, dilema që mund ta shtyjë Ganën të synojë vendin e tretë në vend të pozitës së dytë

Thomas Partey, dilema që mund ta shtyjë Ganën të synojë vendin e tretë në vend të pozitës së dytë

Lajme

Gana luan sonte sfidën vendimtare kundër Kroacisë në Grupin L të Kupës së Botës 2026, ndërsa ka ende mundësi ta mbyllë fazën e grupeve në vendin e parë, të dytë ose të tretë.

Formacioni i drejtuar nga Carlos Queiroz numëron katër pikë pas dy takimeve të para. Nëse fiton ndaj Kroacisë, Gana e siguron të paktën pozitën e dytë, por mund ta mbyllë grupin edhe në krye në rast se Anglia nuk arrin fitore ndaj Panamasë ose nëse ganezët triumfojnë me dy gola më shumë se anglezët.

Megjithatë, ekziston një rrethanë e pazakonshme që e bën vendin e dytë jo domosdoshmërisht alternativën më të dëshiruar. Në rast se Gana kalon tutje si nënkampione e grupit, ndeshjen e 1/16 së finales do të duhet ta zhvillojë në Toronto të Kanadasë.

Skenari problematik dhe Kanadaja

Kjo do të paraqiste problem për Thomas Parteyn, pasi mesfushori i Villarrealit nuk mund të hyjë në Kanada për shkak të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Mbretërinë e Bashkuar, ku akuzohet për përdhunim dhe sulm seksual ndaj disa grave.

Për të njëjtën arsye, ai mungoi edhe në ndeshjen e parë të Ganës në këtë Botëror.

Në duelin ndaj Anglisë, Partey u kthye në formacion dhe ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë. Mesfushori bëri një paraqitje shumë të mirë dhe rezultoi futbollisti i Ganës më i vlerësuar mes lojtarëve të fushës, ndërsa vetëm portieri Asare u vlerësua më lart.

Lojtari kryesor i Queirozit

Si një prej emrave më të rëndësishëm në skuadrën e Carlos Queirozit, mungesa e Parteyt në një ndeshje me eliminim direkt do të ishte një goditje e fortë për Ganën.

Pikërisht kjo ka nxitur diskutime nëse përfaqësuesja afrikane do ta kishte më të leverdishme të kualifikohej si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta, në vend se ta mbyllte grupin në pozitën e dytë dhe të përballej me një ndeshje në Kanada pa një nga futbollistët e saj kyç.

Partey ka qenë pjesë e Arsenalit dhe për atë periudhë ai akuzohet për përdhunim dhe sulm seksual ndaj disa grave.

Promo