Spanja thyen rekordin historik me 34 ndeshje zyrtare radhazi pa humbje

Spanja thyen rekordin historik me 34 ndeshje zyrtare radhazi pa humbje

Lajme

Kombëtarja e Spanjës ka hyrë në histori duke regjistruar serinë më të gjatë pa humbje në futbollin ndërkombëtar konkurrues.

Ekipi i drejtuar nga Luis de la Fuente e arriti këtë rekord pas triumfit 1-0 përballë Uruguait, në ndeshjen e raundit të tretë të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026.

Falë këtij suksesi, ‘La Roja’ ka shkuar në 34 takime zyrtare rresht pa pësuar humbje, me bilancin prej 27 fitoreve dhe 7 barazimeve.

Disfata e fundit e spanjollëve në një përballje garuese është regjistruar në mars të vitit 2023, kur u mposhtën 0-2 nga Skocia në kualifikueset e Euro 2024.

Me faktin që nuk u mund nga Uruguai, Spanja ka kaluar zyrtarisht rekordin e mëparshëm botëror që mbahej nga Brazili, i cili kishte mbetur pa humbje në ndeshje zyrtare nga viti 1993 deri në vitin 1998.

Sipas sqarimit statistikor, në këtë rekord përfshihen vetëm ndeshjet zyrtare konkurruese, ndërsa përjashtohen miqësoret dhe sfidat e vendosura nga gjuajtjet e penalltive.

Për këtë arsye, humbja 0-1 ndaj Kolumbisë në një miqësore gjatë vitit 2024, si edhe humbja ndaj Portugalisë me penallti në finalen e Ligës së Kombeve në vitin 2025 (2-2, 3-5 me penallti), nuk e ndërpresin këtë ecuri historike të Spanjës.

Promo