Përcaktohen edhe pesë duele të fazës së 1/16-tës në Kupën e Botës, me dy përballje që spikasin mbi të tjerat

Përcaktohen edhe pesë duele të fazës së 1/16-tës në Kupën e Botës, me dy përballje që spikasin mbi të tjerat

Lajme

Pas ndeshjeve të luajtura të premten në mbrëmje dhe atyre të mëngjesit të sotëm, të shtunë, janë konfirmuar skuadra të tjera të kualifikuara në Kupën e Botës, si dhe edhe pesë çifte të reja për fazën e 1/16-tës.

Me pjesën dërrmuese të fazës së grupeve tashmë të mbyllur, Kupa e Botës 2026 po hyn në etapën ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë.

Pasi të premten në mëngjes u vulosën katër ndeshjet e para të fazës eliminatore, tashmë listës i janë shtuar edhe pesë përballje të tjera, mes të cilave ka edhe duele që pritet të sjellin futboll cilësor dhe emocione deri në sekondat e fundit.

Një nga ndeshjet që tërheq më shumë vëmendje është ajo mes Francës dhe Suedisë. Francezët e nisën këtë turne si një prej pretendentëve kryesorë për trofeun, ndërsa suedezët janë paraqitur me organizim dhe karakter gjatë fazës së grupeve. Në letër, Franca mbetet favorite, por Suedia ka treguar se di t’ua hapë punë skuadrave më të mëdha.

Po aq interes pritet të ketë edhe sfida ndërmjet Bregut të Fildishtë dhe Norvegjisë. Përfaqësuesja afrikane ka rënë në sy për disiplinën dhe forcën fizike, ndërsa Norvegjia po vazhdon të dëshmojë se është një nga kombëtaret në ngritje. Kjo ndeshje pritet të jetë njëra prej më të ekuilibruarave të kësaj faze eliminatore.

Fokus i madh do të jetë edhe te Argjentina, që në 1/16-të do të luajë kundër Kepit të Gjelbër. Kampionët në fuqi synojnë të vazhdojnë rrugën drejt mbrojtjes së titullit, por kombëtarja afrikane ka qenë një nga surprizat më të bukura të këtij Botërori dhe do të tentojë të bëjë histori me një eliminim befasues të favoritëve.

Në këtë raund janë caktuar gjithashtu edhe ndeshjet Gjermania–Paraguai dhe Australi-Egjipt, ndërsa tetë përballjet e mbetura të fazës së grupeve do të përcaktojnë plotësisht të gjitha çiftet e fazës së 1/16-tës.

Katër duelet e para të konfirmuara për këtë fazë ishin Afrika e Jugut-Kanada, Holanda – Maroku, SHBA-Bosnja dhe Hercegovina dhe Brazili–Japonia.

Pesë çiftet e tjera të konfirmuara për fazën e 1/16-tës janë:

Gjermania – Paraguai

Franca – Suedia

Bregu i Fildishtë – Norvegjia

Argjentina – Kepi i Gjelbër

Australia – Egjipti

https://www.instagram.com/p/DaE_nZ9jfD6

Promo