Anglia ka pësuar një goditje të fortë në kuadër të Kupës së Botës 2026, pasi sipas raportimit të The Guardian, Reece James pritet të mbetet jashtë për të paktën dy ndeshje për shkak të një dëmtimi në muskujt e kofshës.
Mbrojtësi dhe kapiteni i Chelseat nuk do të jetë në dispozicion për përballjen e së shtunës ndaj Panamasë, ndërsa do ta humbasë edhe takimin e raundit të 1/16 së finales, edhe pse emri i kundërshtarit ende nuk dihet.
Sinjalet e para të këtij problemi u shfaqën të premten, kur James nuk mori pjesë në stërvitjen e Anglisë përpara nisjes së ekipit nga baza në Kansas City drejt New Yorkut, aty ku “Tre Luanët” do të luajnë ndaj Panamasë.
26-vjeçari kishte qëndruar gati dy muaj larg fushës në fundin e sezonit për shkak të të njëjtit shqetësim fizik. Edhe pse u rikthye për ndeshjet e fundit, ai nuk ia doli të aktivizohej rregullisht për 90 minuta të plota.
Megjithatë, Thomas Tuchel e konsideronte mbrojtësin e djathtë një pjesë shumë të rëndësishme të planeve të tij për këtë Botëror. James luajti nga 90 minuta të plota në duelet kundër Kroacisë dhe Ganës, por gjendja e tij fizike ka vazhduar të kërkojë kujdes të veçantë.
Mungesa e James përbën një shqetësim serioz për Tuchelin, duke qenë se ai konsiderohet një nga figurat kryesore të repartit mbrojtës, por edhe një armë me peshë në sulm falë cilësive që ofron në krahun e djathtë.


