Me triumfin ndaj Norvegjisë, Franca e mbylli fazën e grupeve në krye të Grupit I, duke mbajtur të paprekur ecurinë perfekte në Kampionatin Botëror 2026.
Ndonëse u mposht në këtë përballje, Norvegjia e kishte siguruar tashmë kalimin në raundin nokaut. Menjëherë pas ndeshjes, vëmendja kaloi te kundërshtarët që i presin të dy kombëtaret, si edhe te datat dhe stadiumet ku do të luhen takimet e 1/16-tës.
Takimi i zhvilluar në “Boston Stadium” u vlerësua si një prej dueleve më të rëndësishme të fazës së grupeve. Franca dha sërish prova për qëndrueshmërinë dhe nivelin e saj, duke përforcuar statusin si një nga pretendentet kryesore të turneut, ndërsa Norvegjia, edhe pse me ndryshime në formacion, e kishte vulosur më herët kualifikimin.
Si fituese e Grupit I, Franca tashmë e ka të qartë kundërshtarin në fazën e eliminimit direkt.
Më 30 qershor, në “New York New Jersey Stadium” në East Rutherford, New Jersey, francezët do të ndeshen me Suedinë në raundin e 1/16-tës.
Vendin e parë në grup, Franca e shfrytëzoi për të siguruar një kalendar më të favorshëm, duke shmangur përballje më të forta në këtë etapë.
Nëse “Gjelat” e vazhdojnë këtë formë dhe arrijnë të kalojnë më tej, në 1/8-të mund t’i presë një duel tjetër i madh, me Gjermaninë që shihet si rivali i mundshëm.
Edhe Norvegjia e ka tashmë të përcaktuar ndeshjen e saj në fazën nokaut, pasi e mbylli Grupin I në vendin e dytë.
Norvegjezët do të luajnë kundër Bregut të Fildishtë më 30 qershor në “AT&T Stadium” në Arlington, Texas.
Kjo përballje pritet të sjellë interes të madh, pasi vë përballë dy ekipe me ambicie të mëdha që synojnë të bëjnë histori në Botëror.


