Franca ka marrë një sukses të madh 4-1 kundër Norvegjisë, në ndeshjen e raundit të tretë të fazës së grupeve në Kampionatin Botëror 2026, duke shfaqur forcë të madhe në sulm dhe saktësi në momentet vendimtare.
Që në minutën e parë, sfida mori ritëm të shpejtë dhe Franca krijoi rastin e parë të pastër, kur Kylian Mbappé hyri në zonë dhe provoi të shënonte, por Egil Selvik reagoi shkëlqyeshëm duke e devijuar topin në traversë.
Avantazhi për francezët erdhi në minutën e shtatë. Mbappe shërbeu për Ousmane Dembelen, i cili nga afër nuk fali dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Skuadra franceze vazhdoi të ishte më kërkuese, dhe në minutën e 20-të Mbappe përsëri dha asistin vendimtar për Dembelen, i cili shënoi golin e dytë me një goditje të saktë në cepin e majtë të portës për 2-0.
Norvegjia reagoi menjëherë. Në minutën e 21-të, Andreas Schjelderup i dha një pasim Thelo Aasgaardit, i cili shkurtoi diferencën në 2-1 me qetësi para portës.
Megjithatë, Franca mbajti kontrollin e lojës. Në minutën e 32-të, Aurelien Tchouameni e gjeti Dembelen në zonë dhe sulmuesi francez e plotësoi dopietën personale, duke e çuar rezultatin në 3-1, shifër me të cilën u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, Norvegjia pati mundësinë më të mirë për t’u rikthyer në lojë në minutën e 50-të, por Jorgen Larsen nuk ia doli nga penalltia, pasi Mike Maignan ndali goditjen e tij.
Në fund, Franca e vulosi edhe golin e katërt, me Desire Doue që vendosi shifrat përfundimtare 4-1 me një gol me kokë në minutën e 94-të. //


