Para ndeshjes së radhës në Grupin L të Kupës së Botës ndaj Panamasë, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Anglisë është në dyshim të madh, ndërsa trajneri Thomas Tuchel mendohet se do të ndërhyjë me tri ndryshime pas barazimit kundër Ganës.
Pas dy takimeve të para, Anglia ndodhet në vendin e parë në Grupin L, por ende nuk e ka vulosur matematikisht kalimin në fazën e 1/16-ave.
Skuadra e drejtuar nga Tuchel ka grumbulluar 4 pikë falë suksesit 4-2 përballë Kroacisë dhe barazimit pa gola me Ganën. Gjithsesi, kualifikimi i “Tre Luanëve” mund të bëhet zyrtar që sonte, më 26 qershor, në rast se dy prej ekipeve të vendeve të treta në grupet që janë në lojë mbeten me jo më shumë se tre pikë.
Po ashtu, një barazim në përballjen mes Uruguait dhe Spanjës do t’ia siguronte Anglisë një vend në fazën nokaut përpara sfidës me Panamanë, që luhet më 27 qershor.
Edhe pse kalimi më tej është shumë pranë, në kampin anglez ka shqetësim për gjendjen fizike të disa emrave të rëndësishëm përpara ndeshjes së ardhshme.
Reece James, mbrojtësi i djathtë i Chelseat që ka qenë titullar në dy ndeshjet e para, konsiderohet një dyshim serioz. Sipas talkSPORT, vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet ta marrë Jarell Quansah i Bayer Leverkusen.
Nga ana tjetër, në krahun e majtë të mbrojtjes, Nico O’Reilly mund të aktivizohet në vend të Djed Spence, i cili nuk ishte pjesë e formacionit ndaj Ganës pasi kishte nisur nga minuta e parë kundër Kroacisë.
Në repartin ofensiv, Bukayo Saka pritet të rikthehet si titullar në krahun e djathtë, duke kaluar përpara shokut të tij te Arsenal, Noni Madueke, i cili e nisi lojën nga fillimi në të dyja ndeshjet e para.
Në krahun e majtë të sulmit, pavarësisht zërave që kërkojnë Marcus Rashford, gjithçka tregon se Anthony Gordon do ta ruajë vendin në formacion.
Në dyshim mbetet edhe Declan Rice, me mesfushorin që mungoi në stërvitjen e së enjtes, megjithëse ekziston ende mundësia që ai të jetë titullar në këtë takim.


