Dinamo ka bërë publik kundërshtarin e miqësores së dytë në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri. Ekipi kryeqytetas do të ndeshet me Strugën, skuadrën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të shtunën, më 27 qershor, duke nisur nga ora 17:30.
Ndeshja është planifikuar të luhet në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe do t’u vlejë të dy ekipeve për të vlerësuar më qartë formën e futbollistëve pas periudhës së pushimit, në prag të sfidave kualifikuese të Conference League.
Ky duel do të sjellë përballje edhe mes trajnerëve, teksa Ilir Daja do të gjejë përballë Bledi Shkëmbin. Vlen të kujtohet se 3 ditë më parë, “blutë” triumfuan në testin e parë miqësor ndaj Sileksit, takim ku realizuan kapiteni Bruno Dita dhe Dejvi Metaj.


