Trajneri i Skocisë, Steve Clarke, kaloi një moment të rëndë pas humbjes 3-0 ndaj Brazilit në raundin e tretë të Grupit C në Kupën e Botës 2026.
Ky rezultat e ka vështirësuar ndjeshëm pozitën e Skocisë në grup dhe ka rritur dyshimet për një kualifikim historik në fazën me eliminim direkt, pasi tani fati i skuadrës varet nga ecuria e ndeshjeve të tjera.
Në Miami, Brazili mori një fitore të qartë me Vinicius Junior që shënoi dy herë dhe Matheus Cunha që shtoi golin e tretë, ndërsa të tre golat erdhën pas gabimeve në mbrojtjen skoceze.
Pas kësaj humbjeje, Skocia mbeti në vendin e tretë të Grupit C me golavarazh -3, duke pritur tashmë rezultatet në grupet e tjera për të kuptuar nëse mund të renditet mes tetë skuadrave më të mira të vendeve të treta.
Pas ndeshjes, Clarke, që kishte shpresa të mëdha për një kualifikim historik, nuk arriti ta fshihte dëshpërimin në intervistën për BBC.
Ai u duk i tensionuar dhe i përmbajtur gjatë bisedës që zgjati vetëm 23 sekonda me prezantuesen Eilidh Barbour.
“Nuk e bëmë më të lehtë për veten, kaq është,” tha Clarke.
Kur u pyet pse Brazili e kishte pasur të lehtë të shënonte, ai shtoi: “Ne ua dhamë golat, ua dhamë ndeshjen që donin. Zhgënjyese.”
I pyetur për situatën e ndërlikuar të kualifikimit, trajneri skocez nuk pranoi të zgjatej më shumë: “As nuk dua të mendoj për këtë. Më vjen keq, nuk po mendoj për këtë”, u shpreh ai, para se të largohej nga intervista.
Tani, Skocia duhet të presë përfundimet në grupet e tjera për të parë nëse do të shkruajë historinë me një kualifikim të mundshëm në fazën eliminatore të Botërorit.


