Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, ka folur për rrjedhën e Kupës së Botës 2026, duke e përshkruar atë si ngjarjen më të suksesshme në histori.
Edhe pse Kampionati Botëror 2026 u shoqërua me shumë kritika lidhur me organizimin, biletat dhe problemet me vizat për lojtarët e tifozët, pas fillimit të tij është vërejtur interesim i madh dhe një numër ndeshjesh kanë ofruar spektakël.
Pasi përfundoi raundi i dytë i ndeshjeve, kreu i FIFA-s doli me një deklaratë, ku e cilësoi Kupën e Botës 2026 si ngjarjen më të suksesshme të të gjitha kohërave.
“Është e pabesueshme. Më shumë se çdo gjë që bota ka parë ndonjëherë – jo vetëm midis ngjarjeve të futbollit, por midis të gjitha ngjarjeve në përgjithësi. Ky është ngjarja më e suksesshme në histori”, ka deklaruar fillimisht Infantino.
Ai theksoi se stadiumet janë të mbushura plot, po ashtu edhe qytetet, ndërsa atmosfera sipas tij është e jashtëzakonshme.
“Stadiumet janë të mbushura plot, qytetet janë të mbushura plot dhe atmosfera është e mrekullueshme. Ka shumë familje, fëmijë dhe gra në tribuna dhe është vërtet e mrekullueshme”.
Në fund, kreu i futbollit botëror shprehu falënderim për tifozët që po marrin pjesë në këtë kompeticion.
“Jam shumë mirënjohës për të gjithë tifozët që vijnë në stadiume dhe marrin pjesë në festivalet e FIFA-s”, përfundoi i pari i futbollit botëror.


