Michael Owen, ish-sulmuesi i Anglisë, ka reaguar në mbështetje të Cristiano Ronaldos pas kritikave të shumta që kanë shoqëruar kapitenin e Portugalisë pas ndeshjes së parë në Kupën e Botës 2026.
Në sfidën hapëse të fazës së grupeve, Portugalia barazoi 1-1 në mënyrë zhgënjyese ndaj Republikës Demokratike të Kongos. Ronaldo qëndroi në fushë për 90 minuta, por nuk arriti as të shënojë dhe as të japë asistim.
Sipas Owen, është e gabuar që përgjegjësia për paraqitjen e Portugalisë të bjerë vetëm mbi sulmuesin portugez, pasi kritikat ndaj tij i konsideron të ekzagjeruara.
“Het-triku i Messit një ditë para ndeshjes së Portugalisë nuk e ndihmon Cristianon, por unë nuk do ta kritikoj atë”.
“Portugalia nuk tregoi versionin e saj më të mirë kundër Republikës Demokratike të Kongos dhe shumica e kritikave vijnë nga ideja se Ronaldo ishte problemi i ekipit. Por a nuk ka luajtur ai gjithmonë në këtë mënyrë, deri diku?”.
Ish-reprezentuesi anglez theksoi se në vitet e fundit Ronaldo nuk është përfshirë shumë në lojën e përgjithshme, por zakonisht bëhet vendimtar në çastet kryesore. Ai shtoi se, kur Ronaldo nuk realizon gol, është e lehtë që gishtat të drejtohen nga ai, sidomos duke pasur parasysh se në moshën 41-vjeçare ai vihet vazhdimisht në diskutim.
Owen shprehu bindjen se Ronaldo mund t’u japë përgjigje të menjëhershme kritikëve në takimin e ardhshëm.
“Kjo ka ndodhur shumë herë më parë dhe ai i ka bërë të gjithë të heshtin që në ndeshjen pasuese. Nuk do të habitesha nëse ai u përgjigjet me një het-trik ndaj Uzbekistanit”, përfundoi Owen.
Portugalia do të luajë ndaj Uzbekistanit në ndeshjen e dytë të grupit, ku Ronaldo do të ketë një tjetër rast për të treguar se mbetet vendimtar edhe në moshën 41-vjeçare.


