Mbappe komenton raportin me Dembelen: Bashkëpunimi në fushë mund të bëhet edhe më i mirë

Lajme

Kylian Mbappe ka folur për funksionimin e repartit ofensiv të Francës dhe marrëdhëniet mes lojtarëve në skuadër pas ndeshjes së fundit në Kupën e Botës, duke nënvizuar si elementet pozitive, ashtu edhe aspektet që kërkojnë përmirësim.

Kapiteni i Francës pranoi se mirëkuptimi i tij me Ousmane Dembele mund të forcohet më tej.


“Ndoshta mund ta përmirësoj edhe pak më shumë marrëdhënien që kam me Ousmanen në fushë”, u shpreh Mbappe.

Duke analizuar paraqitjen e përgjithshme të Francës, ai theksoi se në pjesën e parë pati mjaft gabime teknike, por insistoi se ekipi e ruajti intensitetin e duhur pavarësisht nervozizmit të disa debutuesve.

“Kur i shoh katër sulmuesit, nuk vërej asnjë lojtar të veçuar. Në pjesën e parë, bëmë shumë gabime teknike dhe nuk arritëm ta çanim bllokun e tyre mbrojtës. Sa i përket intensitetit, ishim në nivelin e duhur. Shumë lojtarë po luanin ndeshjen e tyre të parë në Kupën e Botës. Kishte pak nervozizëm”, shpjegoi ai.

Mbappe komentoi edhe zërat për një kalim të mundshëm në MLS në një fazë të mëvonshme të karrierës, duke pranuar se kultura e futbollit në Shtetet e Bashkuara e tërheq.

“Shtetet e Bashkuara kanë një kulturë ndryshe nga e jona; mua më ka pëlqyer gjithmonë ajo kulturë ku ambicia nuk njeh kufij”, tha ai.

“A do të vij këtu para fundit të karrierës sime? Ndoshta, nuk e di. Davidi më ka folur tashmë për këtë”, u shpreh kapiteni i Francës.

Promo