Xavi Hernandez: Nëse nuk arrin të kombinosh me Leo Messin, atëherë futbolli nuk është për ty

Lajme

Xavi Hernandez ka rikujtuar momentin e parë kur u takua me Lionel Messin te Barcelona, duke treguar se ylli argjentinas i bindi menjëherë futbollistët e ekipit të parë se bëhej fjalë për një talent të rrallë.

Ish-mesfushori katalanas rrëfeu se në fillim kishte qenë dyshues kur kishte dëgjuar për një djalë nga Argjentina që po mbërrinte në La Masia.


“Një nga trajnerët e akademisë së Barcelonës më foli për këtë djalin nga Argjentina që po vinte. Më tha se nuk kishte parë kurrë më parë diçka të tillë”.

“Për të qenë i sinqertë, isha skeptik. Mendoja se një lojtar mund të vlerësohej vetëm kur të mbërrinte te ekipi i parë”.

Megjithatë, gjithçka mori një kthesë në vitin 2004, kur Messi u stërvit për herë të parë me ekipin e parë të Barcelonës.

“Ende e kujtoj atë seancë të parë stërvitore. Nuk mund ta besoja atë që po shihja. As lojtarët e tjerë me përvojë nuk mund ta besonin”.

“Thjesht shikonim njëri-tjetrin sikur të thoshim: ‘Kjo nuk është normale’. Leo ishte vetëm 16 vjeç dhe pothuajse ishte lojtari më i mirë në klub që në atë çast”.

Më pas, Xavi e përshkroi Messin si bashkëlojtarin më të kompletuar me të cilin kishte luajtur ndonjëherë, duke nënvizuar ndikimin e jashtëzakonshëm që argjentinasi kishte në lojën e Barcelonës.

“Ishte e lehtë të luaje me të. Shumë e lehtë. Nëse nuk mund të kombinosh me Messin, atëherë nuk mund të luash futboll, është kaq e thjeshtë”.

“Kur ia pason topin Leos, ai ta kthen në mënyrë perfekte dhe gjithmonë në këmbën e duhur. Si dikush që gjithmonë e ka dashur pasimin, ishte privilegj të luaja me të. Leo më bëri futbollist më të mirë”.

Xavi vlerësoi gjithashtu inteligjencën e jashtëzakonshme të Messit dhe mënyrën se si Barcelona e ndërtoi lojën për ta përfshirë sa më shumë në aksion.

“Ne donim që ai të ndihej i lumtur dhe ta përfshinim sa më shumë në lojë”.

Promo