Japonia bëri histori në Kupën e Botës 2026, duke realizuar për herë të parë katër gola në një ndeshje të këtij turneu, pasi triumfoi me shifrat 4-0 ndaj Tunizisë në sfidën e Grupit F, të luajtur në Estadio Monterrey. Pas kësaj disfate, Tunizia u bë përfaqësuesja e tretë që i jep fund rrugëtimit në turne.
Japonezët hynë me ritëm të lartë në takim dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e katërt.
Pas një aksioni të ndërtuar bukur, Keito Nakamura dërgoi një top të rrezikshëm në zonë, ndërsa prapavija tuniziane nuk arriti ta largonte, çka i dha mundësi Daichi Kamadas ta dërgojë topin në rrjetë mes shumë lojtarëve.
Përfaqësuesja aziatike vijoi të ishte plotësisht dominuese, ndërsa portieri tunizian Aymen Dahmen i mohoi skuadrës kundërshtare një tjetër gol të sigurt, duke ndalur mbi vijë një goditje të Ayase Uedas. Tunizia ishte thuajse e padukshme në repartin ofensiv dhe rrallëherë arriti të vërë në vështirësi portën kundërshtare.
Japonia e dyfishoi epërsinë në minutën e 31-të, kur Ueda përfundoi saktë një aksion nga skaji i zonës, duke e çuar topin në këndin e poshtëm të portës.
Deri në mbyllje të pjesës së parë, Japonia e kishte ndeshjen plotësisht nën kontroll, ndërsa tunizianët nuk gjetën asnjë zgjidhje për t’u rikthyer.
As pas pushimit tabloja e ndeshjes nuk ndryshoi. Ndonëse Hannibal Mejbri iu afrua golit për Tunizinë, skuadra e drejtuar nga Herve Renard vazhdoi të dukej pa ide dhe pa energji në fushë.
Goli i tretë u shënua në minutën e 69-të, kur Junya Ito përfitoi nga një top i thjeshtë në thellësi, fitoi duelin fizik me Mohamed Amine Ben Hmidan dhe e mposhti me qetësi Dahmenin.
Vetëm pak minuta më pas, Ueda i dha vulën përfundimtare suksesit me golin e tij të dytë personal, duke realizuar me kokë pas një harkimi që kaloi çuditërisht mes disa mbrojtësve tunizianë.
Me këtë paraqitje, sulmuesi u bë futbollisti i parë japonez që shënon dy herë në një ndeshje të Kupës së Botës.
Kjo fitore, në ndeshjen e 1000-të në historinë e Kupës së Botës, e çon Japoninë shumë pranë kualifikimit në fazën e 1/32-ës.
Një barazim ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit të grupit do të ishte i mjaftueshëm për japonezët që të sigurojnë avancimin. Nga ana tjetër, Tunizia e vazhdon serinë negative, me vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit, krahas 2 barazimeve dhe 6 humbjeve.


