Jurgen Klopp e ka mbështetur fuqishëm Virgil van Dijkun pasi kapiteni i Holandës mori kritika të forta nga ish-mesfushori holandez Rafael van der Vaart pas ndeshjes kundër Japonisë në Kupën e Botës 2026.
Ish-trajneri i Liverpoolit reagoi ashpër ndaj Van der Vaart, duke e konsideruar të pabazë vlerësimin e tij për mbrojtësin qendror, me të cilin bashkëpunoi për shumë vite në “Anfield”.
Van Dijk, një prej figurave kyçe të Liverpoolit gjatë periudhës më të suksesshme të Kloppit nga viti 2018 deri në 2024, u bë objekt kritikash pas barazimit 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.
Diskutimi shpërtheu kur Van der Vaart, në cilësinë e analistit në televizionin holandez NOS, vuri në pikëpyetje lëvizshmërinë e mbrojtësit dhe mënyrën si rikthehej në aksione.
“Duhet të jem i sinqertë: u befasova shumë nga Van Dijk. Kur e shikoja, mendoja se kjo nuk duket mirë. Sidomos kur duhej të kthehej. Po e ka shumë të vështirë. Është pak si një Boeing 747 që po përpiqet të kthehet. Shpresoj që gjatë turneut të fillojë të kthehet pak më shpejt”, ishte shprehur Van der Vaart.
Klopp iu përgjigj menjëherë këtyre deklaratave, duke vënë në dyshim besueshmërinë e ish-futbollistit holandez.
“Nuk jam plotësisht i sigurt nëse ia vlen fare të përmendet Rafael van der Vaart. Por nëse ai ndonjëherë thotë diçka pozitive për ndonjë lojtar, atëherë do të jem i lumtur ta marr seriozisht përsëri”, u shpreh Klopp.
Trajneri gjerman theksoi më tej se Van der Vaart ka prirjen të ndalet vetëm te anët negative dhe t’i fryjë ato më shumë seç duhet.
“Të krijohet përshtypja se ai sheh diçka dhe më pas duhet ta thotë në mënyrën më të zhurmshme të mundshme. Në fund, gjithmonë del kundër dikujt. Në atë formë, ajo që thotë nuk ka shumë peshë”, përfundoi Klopp.
Kjo përplasje me deklarata ka ngjallur interes të madh në Holandë, veçanërisht sepse Van Dijk vazhdon të jetë një nga liderët kryesorë të “Tulipanëve” në synimin e tyre për të ecur sa më larg në Kupën e Botës 2026.//


