E vështirë të besohet, por Ronaldinho rikthehet në futboll

Lajme

Ikona e Brazilit dhe e Barcelonës, Ronaldinho, ka firmosur me skuadrën italiane të Serie C, Ravenna, duke u rikthyer kështu nga pensionimi.

Sipas raportimeve të Gazzetta, 46-vjeçari pritet të prezantohet në një aktivitet të veçantë në Miami më 23 qershor, por ende nuk dihet nëse ai do të zbresë vërtet në fushë për klubin gjatë sezonit të ardhshëm.


“Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi po pres të vallëzoj sërish me topin dhe të shkruaj një histori të re bashkë me Ignazion dhe gjithë familjen Cipriani”, ka deklaruar Ronaldinho.

“Futbolli ka qenë gjithmonë një burim gëzimi për mua dhe dua ta sjell të njëjtën frymë te Ravenna”, shtoi ai.

Ronaldinho e mbylli karrierën e tij profesionale pas një aventure të shkurtër te Fluminense në vitin 2015 dhe prej asaj kohe nuk ishte rikthyer më në fushë.

Edhe pronari i klubit, Ignazio Cipriani, komentoi këtë transferim, duke shprehur admirimin e tij të madh për ish-mesfushorin, të cilin e konsideron idhull.

“Ai ka qenë idhulli im që nga fëmijëria dhe ndikimi i tij në futboll shkon përtej lojës. Përtej asaj që ai i sjell klubit, shpresoj që angazhimi i tij të frymëzojë një brez të ri tifozësh që të bien në dashuri me Ravennan dhe të bëhen pjesë e projektit tonë për të ardhmen”, u shpreh Cipriani.

Ravenna ka qenë më herët shtëpia e disa emrave të njohur të futbollit italian, si Christian Vieri, Fabio Cannavaro, Alberto Gilardino dhe Vincenzo Montella, ndërsa tani kësaj liste i bashkohet edhe Ronaldinho.//

Promo