“Kemi bërë disa gabime”, Igli Tare flet për eksperiencën e tij te Milani dhe për Allegrin

Lajme

Ish-drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë një intervistë për SportMediaset, ku u ndal te periudha e tij te kuqezinjtë dhe foli edhe për të ardhmen e klubit, teksa Milani po kalon një rishikim të plotë të strukturës drejtuese.

Tare dhe Allegri u larguan nga drejtuesit e Milanit pas një sezoni në të cilin skuadra nuk arriti të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa ish-drejtori sportiv shqiptar tani ka komentuar si përvojën e tij, ashtu edhe trajnerin italian.


“Ai [Allegri] është i nivelit më të lartë, vendimi i Napolit ka qenë i zgjuar dhe në përputhje me ambiciet që klubi ka pasur dhe duhet të vazhdojë të ketë edhe për sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar fillimisht Tare.

“Këto janë rrethana që i përkasin lojës dhe profesionit tonë. Që nga viti i kaluar, Allegri ishte një prej emrave të mundshëm për Napolin, ndaj ata e mbajtën të hapur këtë raport”.

“Unë dhe Max flasim shpesh, çdo dy apo tre ditë dëgjohemi në telefon: kemi bërë disa gabime, por Allegri është një trajner që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit italian dhe do të vazhdojë ta bëjë edhe më tej”.

“Shpresoj që Milani të gjejë ekuilibrin dhe një projekt serioz për të ardhmen”.

“Leao? Nuk e di nëse është e drejtë apo jo që ai të kërkojë përvoja të reja, por kur një lojtar e ndjen këtë dëshirë, do të thotë se marrëdhënia ka marrë fund, se cikli është mbyllur. Cilësitë e tij nuk vihen në diskutim, ai thjesht duhet të gjejë vazhdimësi në ndeshje, sepse është një lojtar që mund t’i vendosë i vetëm. Këtë vit kjo nuk ndodhi, edhe për shkak të problemeve fizike që pati”, përfundoi ish-drejtori sportiv.

Ndryshe, Milani disa ditë më parë ka zyrtarizuar trajnerin e ri: portugezi Ruben Amorim do të pasojë Max Allegrin në stolin e kuqezinjve. Ndërkohë, situata brenda klubit mbetet ende e paqartë dhe në proces të përcaktimit.

Promo