Ish-përfaqësuesi i Zvicrës dhe tashmë analist për mediumin zviceran Blick, Blerim Xhemaili, ka komentuar paraqitjen e kombëtares helvetike në episodin e fundit të podkastit “FORZA”, duke u ndalur edhe te emra të veçantë si Manuel Akanji, Granit Xhaka dhe Johan Manzambi.
Pas triumfit 4-1 ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, Zvicra arriti më në fund fitoren e saj të parë në këtë Kupë Bote. Lehtësimi brenda ekipit kombëtar ishte i dukshëm, gjë që u reflektua edhe në episodin më të ri të podkastit të Blick, “FORZA!”.
Eksperti i futbollit te Blick, Blerim Xhemaili, së bashku me redaktorin e futbollit të këtij mediumi, Tobias Wedermann, analizuan ndeshjen e fundit të Zvicrës. Sipas tyre, aspektet pozitive ishin dukshëm më të shumta se ato negative, edhe pse jo çdo gjë funksionoi në mënyrë ideale.
Pas sfidës në Katar, vëmendja më e madhe u përqendrua te kapiteni Granit Xhaka. Jo vetëm paraqitja e tij, por veçanërisht komentet e tij kritike, shkaktuan reagime të shumta. Siç kishte raportuar Blick, këto deklarata nuk ishin pritur mirë nga të gjithë në kampin e përfaqësueses.
Tashmë këtij diskutimi i është bashkuar edhe ish-futbollisti shqiptar që ka luajtur për Zvicrën, Xhemaili, i cili theksoi se futbollistët duhet të jenë të aftë t’i pranojnë kritikat dhe se pikërisht këto kritika i kanë bërë mirë Xhakës.
“Në futboll, duhet të jesh në gjendje të pranosh kritikat. Përndryshe, je në vendin e gabuar në një Kupë Bote. Si kapiten, duhet të dish se çfarë lloj lojtarësh ke në ekip. Një lojtar si Graniti mund të kritikohet dhjetë herë dhe kjo vetëm sa do ta nxisë atë. Të tjerët mund të thyhen nga kjo”, u shpreh fillimisht Xhemaili.
“Që nga minuta e parë, ai ishte një lojtar ndryshe. Luajti me më shumë intensitet, më shumë drejtpërdrejtshmëri dhe me më shumë prani.
“Ndoshta Graniti ka nevojë për këtë lloj kritike. Edhe një herë ai e dha përgjigjen e tij”, përfundoi ish-mesfushori.
Kryeredaktori i Blick, Wedermann, theksoi gjithashtu se kapiteni i kombëtares, Xhaka, transmetonte një energji tjetër nga ajo që kishte shfaqur kundër Katarit.
Xhemaili dhe Wedermann ranë dakord po ashtu se festimi i Xhakës ishte drejtuar pikërisht ndaj mediumit Blick.


