Ish-lojtari i Real Madridit i nënshtrohet ndërhyrjes urgjente pas konferencës për shtyp

Lajme

Ish-futbollisti argjentinas dhe trajneri aktual i Universidad de Chile, Fernando Gago, iu nënshtrua një operacioni urgjent në Santiago për shkak të problemeve kardiovaskulare. Kjo ndodhi pas fitores së skuadrës së tij ndaj O’Higgins, ndërsa klubi bëri të ditur se Gago është në gjendje të mirë.

Klubi publikoi një deklaratë zyrtare në rrjetin social X, ku dha informacion për gjendjen shëndetësore të trajnerit Gago.


“Njoftojmë opinionin publik se trajneri ynë Fernando Gago ka kryer një sërë ekzaminimesh kardiovaskulare dhe sot nuk do të drejtojë stërvitjen. Fernando është në gjendje të mirë dhe po monitorohet nga ekipi ynë mjekësor”, thuhet në njoftim.

Gago i ndjeu problemet të enjten, pasi ekipi i tij mposhti O’Higgins me rezultatin 2-0 në ndeshjen që mbylli gjysmën e parë të kampionatit kilian. Vlen të theksohet se kampionati në Kili vazhdon pavarësisht Kupës së Botës, pasi kombëtarja e tyre nuk arriti të kualifikohej në këtë turne.

Sipas raportimeve të mediave vendase, Gago, i njohur edhe me nofkën ‘Pintita’, u dërgua në spital dhe gjatë natës iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Portali ADN raportoi se ai u shtrua në spital rreth orës 3 të mëngjesit.


Gago pritet të mungojë në angazhimet e ardhshme të skuadrës së tij. Ai nuk do të mund ta drejtojë Universidad de Chile në ndeshjen e parë të Kupës së Kilit ndaj Santiago Wanderers këtë të diel, ndërsa përkohësisht do të zëvendësohet nga ndihmës-trajneri Fabricio Coloccini.

Universidad de Chile është klubi i gjashtë në karrierën e Gagos si trajner, pas eksperiencave në klube të Meksikës dhe Argjentinës, veçanërisht te Boca Juniors në sezonet 2024 dhe 2025. Ai ka pasur gjithashtu një karrierë të spikatur si futbollist, ku ka luajtur jashtë Argjentinës për Real Madridin, Romën dhe Valencian. Po ashtu, ai ka regjistruar 61 paraqitje me kombëtaren e Argjentinës. //

Promo