Legjenda e futbollit brazilian dhe dy herë kampion bote, Cafu, ka zgjedhur katër futbollistë që, sipas tij, përfaqësojnë në mënyrën më të plotë madhështinë dhe bukurinë e këtij sporti.
“Janë lojtarë që kanë shkruar histori, kanë lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe kanë fituar Kupën e Botës. Njëkohësisht, luanin me një natyrshmëri të rrallë. Dukej sikur e kontrollonin topin pa asnjë mundim, nuk e kishin aspak të vështirë të kalonin kundërshtarët, të godisnin portën apo të realizonin gola. Ishin të jashtëzakonshëm për t’u parë”, u shpreh Cafu.
Ish-mbrojtësi brazilian veçoi Diego Maradonën, Lionel Messin, Pelen dhe Ronaldinhon si futbollistët më të mëdhenj në artin e lojës.
“Unë e adhuroj artin e futbollit. Maradona është arti i futbollit. Messi është arti i futbollit. Pele është arti i futbollit. Ronaldinho Gaucho është arti i futbollit. Kur shoh futbollistë që bëjnë diçka të veçantë dhe na detyrojnë të mbetemi me sytë hapur nga admirimi, kjo është ajo që më pëlqen”, tha ai.
I pyetur se çfarë i lidh këta katër emra legjendarë, Cafu vuri theksin te personaliteti dhe mënyra e tyre e sjelljes në fushë.
“Personaliteti. Jo vetëm futbolli, por edhe karakteri, mënyra se si luanin dhe si futeshin në fushë. Asnjëherë nuk e kemi parë Messin, Ronaldinhon, Pelen apo Maradonën të përfshiheshin në përplasje me kundërshtarët. Ne i kemi parë duke luajtur futboll. Goditeshin, por ngriheshin, buzëqeshnin dhe vazhdonin të luanin. Ata gjithmonë shikonin përpara”.
Në fund, Cafu shpjegoi edhe mënyrën se si këta futbollistë i dominonin rivalët e tyre.
“Dhe e dini si i turpëronin kundërshtarët? Me driblime dhe me gola. Kjo është ajo që ne duam të shohim në futboll”, përfundoi braziliani.


