Lojtari i Real Madridit kërkon zgjidhjen e menjëhershme të kontratës me klubin

Lajme

Real Madridi i ka thënë jo kërkesës së një futbollisti për ta mbyllur kontratën me mirëkuptim të ndërsjellë, në mënyrë që ai të lehtësojë largimin nga klubi gjatë kësaj vere.

“Los Blancos” pritet të kalojnë ndryshime të rëndësishme në përbërje pas rikthimit të Jose Mourinhos në pankinë. Si pjesë e rindërtimit pas një sezoni të mbyllur pa trofe, klubi ka sjellë emra si Ibrahima Konate, Bernardo Silva, Denzel Dumfries dhe Marc Cucurella.


Për këtë arsye, disa lojtarë mund të largohen nga “Santiago Bernabeu”, ndërsa ndër emrat që përmenden për dalje janë Eduardo Camavinga, Rodrygo, Franco Mastantuono, Fran Garcia dhe Raul Asencio.

E ardhmja e mesfushorit Dani Ceballos vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa kontrata e tij përfundon pas vetëm një viti. Spanjolli ka luajtur më shumë se 200 ndeshje me fanellën e Real Madridit, por vitet e fundit ka pasur kryesisht një rol dytësor në ekip, pas rikthimit nga huazimi dyvjeçar te Arsenali.

Sipas raportimit të Mundo Deportivo, Ceballos dëshiron të rikthehet te ish-skuadra e tij, Real Betis, dhe madje ka ofruar të heqë dorë nga viti i fundit i kontratës për t’u larguar si lojtar i lirë.

Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit nuk e mbështesin këtë mundësi. Klubi spanjoll synon të përfitojë ekonomikisht nga largimi i tij dhe nuk dëshiron ta lërë të largohet pa asnjë kompensim.

Raporti shton se Real Madridi e çmon Ceballosin me rreth 8 milionë euro dhe beson se mesfushori 29-vjeçar ende ka një vlerë të konsiderueshme në treg.

Në anën tjetër, Real Betis nuk është i gatshëm të paguajë shumën që kërkojnë madrilenët, gjë që mund ta komplikojë rikthimin e shumëpritur të Ceballos te klubi andaluzian, përveç nëse arrihet një marrëveshje mes palëve.

Përveç Betisit, interes serioz për spanjollin ka shfaqur edhe gjiganti holandez Ajax, i cili thuhet se është pranë një marrëveshjeje me një vlerë të përafërt me atë që kërkon Real Madridi./Telegrafi/

Promo