Para ndeshjes së sotme, të mërkurën, mes Kombëtares së Anglisë dhe Kroacisë, duket se është bërë i ditur formacioni startues i “Tre Luanëve”.
Thomas Tuchel, sipas të gjitha gjasave, ka vendosur të përdorë të njëjtin formacion që aktivizoi në ndeshjen miqësore ndaj Kosta Rikës. Kjo nënkupton se ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, si dhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Marc Guehi, i konsideruar si një titullar i padiskutueshëm, do ta nisin takimin nga stoli.
Vëmendja më e madhe në mbrojtje ka qenë te fakti që Guehi do të qëndrojë në stol në atë që cilësohet si ndeshja më e vështirë e Anglisë në fazën e grupeve. Ky përbën një vendim domethënës nga Tuchel, i cili ka zgjedhur t’i besojë repartit mbrojtës me Nico O’Reilly, John Stones, Ezri Konsa dhe Reece James. Në portë, sipas pritshmërive, Jordan Pickford ka ruajtur vendin e tij, ndërsa ky do të jetë turneu i katërt madhor radhazi për të si portier titullar.
Në qendër të mesfushës, ashtu siç parashikohej, do të aktivizohen zv.kapiteni Declan Rice dhe Elliot Anderson. Kjo ka dhënë përgjigje edhe për dilemën e rolit të mesfushorit ofensiv, pasi ylli i Real Madridit, Jude Bellingham, do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa Morgan Rogers do të presë mundësinë e tij në stol.
Anthony Gordon i Barcelonës dukej se kishte epërsinë në krahun e majtë, ndërsa në të djathtën, sipas disa raportimeve, Noni Madueke i Arsenalit do të aktivizohet në vend të Sakës. Sa i takon qendërsulmuesit, aty nuk ka pasur asnjë dilemë: kapiteni dhe ylli i Anglisë, Harry Kane, do t’i prijë “Tre Luanëve” në ndeshjen hapëse të turneut.


