Luka Modric mund të kthehet te Real Madridi vetëm një vit pas transferimit te Milani, të paktën sipas sinjaleve që ka dhënë legjenda kroate Davor Suker.
Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe i kombëtares së Kroacisë ka shtuar zërat për të ardhmen e bashkëkombësit të tij, duke lënë të nënkuptohet se mesfushori me përvojë mund të rikthehet në “Santiago Bernabeu” pas mbylljes së Kupës së Botës 2026.
Në një prononcim për “Radio Marca”, Suker u pyet nëse Modric do të vijojë te Milani apo do të rikthehet në Madrid.
“Tani do të më pyesni nëse do të vazhdojë te Milani apo do të kthehet në Madrid. Unë mendoj se diçka do të ndodhë me Real Madridin”.
“Me shumë gjasa do të kthehet, por nuk e di në çfarë mënyre. Të presim fundin e Kupës së Botës dhe të shohim çfarë do të ndodhë”, deklaroi Suker.
Modric iu bashkua Milanit verën e kaluar me një kontratë për një sezon, ndërsa marrëveshja përfshinte edhe mundësinë e rinovimit edhe për një vit tjetër.
“Rossonerët” janë të gatshëm ta aktivizojnë klauzolën e zgjatjes, por vetëm nëse kroati vendos vetë që ta vazhdojë eksperiencën në “San Siro”.
Megjithatë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se 40-vjeçari po e konsideron seriozisht pensionimin në fund të sezonit, sidomos pas dështimit të Milanit për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve dhe largimit të Massimiliano Allegrit nga posti i trajnerit.
Suker u pyet gjithashtu nëse rikthimi i mundshëm i Modricit te Real Madridi mund të ndodhte në një rol drejtues apo si pjesë e stafit të Jose Mourinhos.
Megjithatë, ish-sulmuesi kroat nuk pranoi të jepte më shumë hollësi.
“Nuk mund të them më shumë, nuk mund të them më shumë. Le të mbetet diçka pezull, nuk mund të tregoj gjithçka”, u shpreh ai.
Modric regjistroi 37 paraqitje me Milanin gjatë sezonit 2025/26, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë tri asistime./


