Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, nuk e ka pritur mirë vendimin e trajnerit Luis de la Fuente për ta lënë në bankinë në ndeshjen ndaj Kepit të Gjelbër dhe tani po kërkon një vend në formacionin startues për sfidën e ardhshme të Kupës së Botës.
Raportohet se Yamal nuk është plotësisht i kënaqur me mënyrën se si po trajtohet te Përfaqësuesja e Spanjës gjatë Botërorit 2026.
Sipas mediumit Cadena SER, 18-vjeçari është shfaqur serioz dhe i tërhequr në stërvitjen e zhvilluar sot, pas zhgënjimit që përjetoi në takimin hapës ndaj Kepit të Gjelbër.
Selektori Luis de la Fuente vendosi të mos e nisë si titullar sulmuesin e Barcelonës, duke pasur parasysh se ai sapo ishte kthyer pas një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës. Për këtë arsye, Yamal u fut në lojë vetëm në mesin e pjesës së dytë si zëvendësues.
Megjithatë, ylli spanjoll beson se e ka lënë plotësisht pas lëndimin dhe se është gati të luajë nga minuta e parë. Pikërisht për këtë arsye, ai ka mbetur i zhgënjyer që nuk pati më shumë hapësirë për të ndikuar në ndeshjen e parë të Botërorit.
Sipas raportimeve, Yamal po synon një vend në formacionin titullar për përballjen e së dielës ndaj Arabisë Saudite, pasi është i bindur se është gati të marrë më shumë përgjegjësi në fushë.
Nga ana tjetër, stafi teknik dhe ekipi mjekësor i Spanjës vazhdojnë të jenë të kujdesshëm. Ata vlerësojnë se lojtari ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe se një rikthim i nxituar në 11-she mund të rrisë rrezikun për përkeqësim të gjendjes së tij fizike.
Tashmë mbetet të shihet nëse De la Fuente do t’i japë një vend nga minuta e parë njërit prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror, apo nëse do të vazhdojë ta menaxhojë me kujdes për të shmangur çdo problem të mundshëm fizik.


