Kombëtarja e Kroacisë të mërkurën, në orën 22:00 sipas kohës lokale, do të luajë ndeshjen e parë në Kupën e Botës, ku në Dallas do të përballet me Anglinë.
Ekipi kroat tashmë ka mbërritur në qytetin ku do të zhvillohet takimi, ndërsa trajneri Zlatko Daliç doli në konferencë për shtyp përpara ndeshjes së parë të këtij turneu.
Daliç e përshkroi Anglinë si rivalin më të vështirë që mund të kishte në nisje të kompeticionit.
“Na pret një përballje e fortë, në startin e Kupës së Botës. Është kundërshtari më i vështirë i mundshëm. Jam i kënaqur me përgatitjet dhe synojmë të paraqitemi sa më mirë. E dimë cilësinë që ka Anglia, ashtu siç edhe ata e dinë cilësinë tonë”, tha Dalic.
Ai nënvizoi edhe rrezikshmërinë e repartit ofensiv të Anglisë, duke përmendur veçanërisht kapitenin Harry Kane.
“Janë shumë të rrezikshëm në krahë dhe kanë sulmuesin më të mirë në botë, Kane, që është shumë i vështirë për t’u ndalur. Jemi përgatitur edhe për goditjet standarde. Presim një ndeshje të ashpër dhe do të bëjmë maksimumin për të qenë në nivelin e duhur”, shtoi ai.
Trajneri i Kroacisë komentoi edhe për talentin e ri Vuskovic, për të cilin foli me vlerësim të madh.
“Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe mund të ndjekë rrugën e Guardiolës. Është një futbollist shumë inteligjent dhe në vitet që vijnë mund të bëhet lider i Kroacisë”, u shpreh Daliç.
Ai foli gjithashtu edhe për peshën që ka Luka Modric brenda skuadrës.
“Si kapiten dhe lider në fushë, ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Lojtarët e rinj janë me fat që e kanë pranë, sepse ai u tregon se çfarë do të thotë të luftosh për fanellën e Kroacisë”, deklaroi trajneri.
Sa u përket objektivave në këtë Botëror, Daliç theksoi se skuadra nuk jeton me arritjet e së kaluarës.
“Medaljet ishin një mrekulli, por i përkasin së kaluarës. Nuk mund të jetojmë me to përgjithmonë. Kemi ambicie të mëdha dhe jemi gati për sfida të reja, por ka shumë kombëtare të forta që synojnë të njëjtën gjë si ne”, përfundoi ai.


