Joshua Kimmich është i bindur se hendeku mes përfaqësueseve më të mëdha të futbollit dhe atyre më të vogla po zvogëlohet gjithnjë e më shumë, çka po i bën sfidat ndërkombëtare gjithnjë e më të komplikuara.
Duke folur pas barazimit pa gola të Spanjës ndaj Cape Verdes në Kupën e Botës 2026, mesfushori i Bayern Munich vuri në dukje përparimin që kanë bërë kombëtaret në zhvillim, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë teknik.
“Në përgjithësi, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të fitosh ndeshje. Të ashtuquajturat kombëtare të vogla po përmirësohen, si nga ana futbollistike ashtu edhe nga ajo taktike”, deklaroi Kimmich.
Kapiteni i Gjermanisë përmendi si shembull edhe ndeshjet e skuadrës së tij ndaj Curacaos dhe rivalëve të tjerë të papritur në Botëror, duke nënvizuar se niveli i tyre është rritur ndjeshëm.
“Curacao luajti futboll kundër nesh, ndërsa unë prisja më shumë topa të gjatë. Pashë Haitin ndaj Skocisë dhe edhe ata luajtën mirë. Nuk është më aq e lehtë”, shtoi ai.
Kimmich nënvizoi se përfaqësueset e mëdha duhet të përmirësohen vazhdimisht nëse synojnë të mposhtin kundërshtarët më pak të favorizuar.
“Kombëtaret e mëdha duhet të bëhen edhe më të mira për t’i fituar këto ndeshje. Kjo tregon se fitorja 7-1 ndaj Curacaos nuk është diçka e garantuar. Duhet ta fitosh në fushë”, përfundoi ai.//


