Gustaf Lagerbielke, baroni suedez që po lë gjurmë në Kupën e Botës 2026

Prej vitesh, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë parë si figurat “mbretërore” të futbollit botëror. Megjithatë, kur bëhet fjalë për aristokraci të mirëfilltë në Kupën e Botës 2026, emri që del në pah është ai i mbrojtësit të Suedisë, Gustaf Lagerbielke.

26-vjeçari ishte ndër lojtarët kryesorë në suksesin e thellë 5-1 të Suedisë kundër Tunizisë. Ai qëndroi në fushë gjatë gjithë takimit, duke tërhequr interes jo vetëm me lojën e tij, por edhe me origjinën e pazakontë.

Dëshira e tij të bëhej futbollist

Lagerbielke i përket një prej familjeve fisnike më të njohura të Suedisë dhe mban titullin baron. I ati, Johan Lagerbjelke, është kont, ndërsa familja e tyre ka rrënjë të hershme aristokratike në vendin nordik.

Duke folur për këtë status të rrallë në futbollin profesionist, ai është shprehur në një intervistë: “Është diçka e rrallë”.

I rritur në Djursholm, një nga zonat më të pasura pranë Stokholmit, ai tregon se që në moshë të vogël e kishte të qartë se çfarë donte për të ardhmen.

“Kur isha fëmijë, doja të bëhesha futbollist profesionist. Familja më ka mësuar të kem objektiva dhe të punoj për t’i arritur ato. Ata janë shumë të lumtur dhe krenarë për mua”, ka deklaruar mbrojtësi suedez.

Prejardhja e familjes dhe “trashëgimia” e fronit

Origjina e tij aristokratike është përmendur shpesh gjatë rrugëtimit të tij në futboll.

Në karrierën e tij ai ka qenë pjesë e disa skuadrave në Suedi, si AIK, Sollentuna, Västerås, Elfsborg dhe Degerfors. Më pas e vazhdoi rrugën te Celticu në Skoci, ndërsa aktualisht luan për klubin portugez Braga.

Sipas raportimeve të mediave britanike, Lagerbielke është mes personave që teorikisht mund të trashëgojnë fronin suedez dhe renditet i 254-ti në vijën e trashëgimisë. Sidoqoftë, vetë lojtari e ka komentuar me humor këtë mundësi, pasi e di se kjo do të ndodh dhe nuk mund të ndodh sipas ligjeve suedeze.

“Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Që kjo të ndodhë, shumë njerëz duhet të largohen nga radha dhe sigurisht që nuk dua që kjo të ndodhë”, u shpreh ai me buzëqeshje.

Aktualisht, mendja e Lagerbielke nuk është te titujt fisnikë dhe as te froni i Suedisë. Synimi i tij mbetet futbolli dhe arritja e suksesit me kombëtaren në Kupën e Botës 2026.

“Të jesh pjesë e një prej fitoreve më të mëdha të Suedisë në historinë e Kupës së Botës është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, përfundoi mbrojtësi suedez.

Promo