Jose Mourinho ka nisur të lëvizë për një tjetër përforcim në prapavijën e Real Madridit, duke treguar se është i vendosur të vazhdojë ndryshimet e thella në repartin defensiv.
Gjatë merkatos së verës, klubi madrilen ka bërë tashmë disa ndërhyrje të rëndësishme në mbrojtje me afrimet e Marc Cucurellas, Denzel Dumfries dhe Ibrahima Konates.
Por trajneri portugez nuk e konsideron të mbyllur punën me kaq. Sipas gazetarit Miguel Serrano, objektivi kryesor i Mourinhos për qendrën e mbrojtjes është lojtari i Interit, Alessandro Bastoni.
Qendërmbrojtësi italian 27-vjeçar vlerësohet prej kohësh si një nga më të mirët në Evropë në rolin e tij, ndaj edhe ka qenë vazhdimisht në radarët e klubeve më të mëdha.
Më parë, Bastoni ishte ndër emrat më të kërkuar nga Barcelona, por skuadra që drejtohet nga Hansi Flick u tërhoq gradualisht nga tentativa për ta transferuar.
Gjithsesi, kalimi i tij te Real Madridi nuk parashikohet i thjeshtë. Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e ka bërë të qartë se zikaltërit nuk planifikojnë të ndahen me një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.
“Ai kurrë nuk ka kërkuar të largohet. Është shumë i lumtur këtu dhe ne nuk jemi një klub që shet lojtarët e tij”, deklaroi Marotta.
Edhe përkundër këtij pozicionimi, interesimi i Real Madridit për reprezentuesin italian mbetet i fortë dhe në javët e ardhshme mund të vijë një ofertë e konsiderueshme.
Raportimet tregojnë se vlera e kartonit të Bastonit llogaritet mes 50 dhe 70 milionë eurove, shifër që për gjigantin spanjoll nuk do të ishte pengesë e madhe nëse Mourinho vendos ta bëjë italianin prioritetin absolut të mbrojtjes.


